TIRANË, 14 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama komentoi sot protestat e dhunshme të opozitës, ndërsa paralajmëroi se “kushdo që shkel ligjin do të përballet me ndëshkimin që jep ligji”.
“Përsëri dua t’ju bëj thirrje të gjithë atyre që u venë nga mbrapa këtyre udhëheqësve të verbuar nga dëshpërimi i humbësve kronikë dhe nga paaftësia për të hapur sytë dhe për të parë të ardhmen, se nuk janë ata udhëheqësit e verbër që dëmtohen në ekonominë e tyre familjare. Nuk janë pushimet e tyre verore që dëmtohen, nuk janë xhepat e tyre që shpohen dhe as fëmijët e tyre që vuajnë mungesën e të hollave që sjell kjo lloj qasje dhe ky zinxhir destruktiv manifestimesh, por në radhë të parë jeni ju që i ndiqni pas”, – tha Rama.
Sot, tha Rama, ka një gjyq për të arrestuarit e të shtunës. “Janë të gjithë njerëz të zakonshëm, njerëz të manipuluar dhe të nxitur për të bërë dhunë, që do të pyesin me siguri veten: Për kë e bëra? Kujt i shërbeva? Çfarë fitova? Dhe të tjerët pas tyre duhet të pyesin veten se për kë po shkojnë të shkelin ligjin të vënë zjarrin dhe të përballen me ndëshkimin që ligji jep në këto raste”, – tha Rama.
“Duhet të pyesin veten a do të përmirësohet jeta ime, ekonomia e shtëpisë time, vendi ku unë jetoj? Absolutisht jo. Nuk ka shanse, vetëm do të përkeqësohet pozita e tij nga një njeri i lirë, duke rrezikuar të jetë një njeri që i është hequr liria, ndërkohë që ata shkojnë flenë në shtëpinë pe tyre pasi mbarojnë frymën me mikrofonat dhe konsumojnë gjithë arsenalin e urrejtjes dhe nxitjes së dhunës”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ata do të dënohen me heqje lirie dhe për kë? Për Bashën, Kryemadhin, Saliun apo të tjerë me radhë”. /a.g/






















