Tre segmente të hapura në Bulevardin e Ri

TIRANË, 4 maj/ATSH-Z.Tosku/- Bulevardi i Ri, nga ish-Stacioni i Trenit deri te kryqëzimi me rrugët “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja” është funksional për automjetet, ndërsa në fillim të muajit qershor do të bëhet edhe inaugurimi përfundimtar në të gjithë gjatësinë e tij.

Lajmi është bërë i ditur nga Ilda Qazimllari, arkitekte pranë Drejtorisë së Investimeve të Huaja në bashkinë e Tiranës .

Ajo tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se pas hapjes së tre segmenteve të Bulevardit të Ri, lidhja e rrugës “Siri Kodra” me Bulevardin e Ri ka krijuar një miniunazë, duke i dhënë zgjidhje edhe trafikut.

“Bulevardi i ri i Tiranës, që për hir të së vërtetës e kemi rithënë pasi është hapur pjesë-pjesë dhe segmente-segmente, është bërë i aksesueshëm për publikun. Tashmë presim që në fillim të qershorit të mund të bëjmë inaugurimin përfundimtar në të gjithë gjatësinë e tij, që është 1,6 km. Deri tani janë hapur tre segmente dhe është bërë lidhja e rrugës “Siri Kodra” me Bulevardin e Ri, kështu që është bërë tërësisht i aksesueshëm dhe ka krijuar një miniunazë, duke mos e bërë thjesht një vend ku bëhet xhiro me makinë, apo për këmbësorët e biçikletat. Gjithashtu, përmes një investimi të bashkisë Tiranë, është bërë investimi në rrugën lidhëse me rrugën “Jordan Misja”, e cila gjithashtu ka ndihmuar në trafikun që krijohej në të dyja këto rrugë, “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”, dhe tashmë mund të krijojnë aksesin përmes bulevardit”.

Ajo vuri në dukje se projekti i Bulevardit të Ri po vijon edhe për pjesën tjetër, ndërsa bëri të ditur se ai do të mbyllet me një shesh ceremonial, i ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”.

“Në fillim të qershorit ne presim që të mbyllim edhe segmentin e fundit, i cili shkon në gjatësinë prej 1,6 km dhe më pas të shohim mundësinë, sepse jemi në prag të një marrëveshje financiare me të njëjtit financues, për mbarimin e segmentit të fundit, që nuk është pjesë e këtij projekti, që është sheshi përmbyllës. Bëhet fjalë për 200-metërshin e fundit deri në pikëtakimin me Lumin e Tiranës, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e rehabilitimit së fundmi të kryer në 3,8 km të tij. Në segmentin e fundit që aktualisht po punojmë, trafiku sa vjen e zvogëlohet, për t’i lënë rrugë vetëm trajtimit pedonal dhe gjelbërimit”, përfundoi Qazimllari. /r.e/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.