FOTO/ Denaj në Shkodër: 3 179 persona u punësuan në gjithë vendin vetëm në prill

TIRANË, 4 maj/ATSH/-Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë një vizite në Zyrën e Punës në Shkodër theksoi se “falë ndërmjetësimit të Zyrave të Punës, vetëm gjatë muajit prill të këtij viti janë punësuar 3 179 punëkërkues në të gjithë vendin”.

Gjatë kësaj vizite, Denaj duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me shkollat profesionale tha se “duhet të bëjmë një rakordim sa më optimal ndërmjet drejtimeve të studimit në këto shkolla dhe kërkesës nga bizneset për burime njerëzore, në funksion të plotësimit në përqindje sa më të lartë të pritshmërive të të dyja palëve”.

“Ndërkohë, përmirësimi i Sistemit Informatik të shërbimeve të punësimit dhe platformës online “puna.gov.al” është në fazat e tij finale dhe përveç të tjerave, do të shënojë një hap cilësor jo vetëm në performancën e Shërbimit Publik të Punësimit, por edhe në zgjerimin dhe cilësinë e informacionit të tregut të punës. Kjo do të arrihet përmes mundësive të shtuara për shkëmbim informacioni, duke zgjeruar rrjetin e komunikimit me bazat e të dhënave të tjera kombëtare”, theksoi Denaj./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.