Task Forca Antikorrupsion, shkarkohet nëndrejtori dhe 7 punonjës të Institutit të Shëndetit Publik

TIRANË, 2 maj/ATSH – A. Fortuzi/- Shkarkohen 8 zyrtarë të Institutit të Shëndetit Publik, mes të cilëve dhe nëndrejtori i këtij institucioni. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në pasqyrën javore të rezultateve të Task Forcës Antikorrupsion.

Sipas Gjonajt, “strukturat Antikorrupsion kanë verifikuar në Institutin e Shëndetit Publik, Tiranë, zbatimin e ligjshmërisë së procedurave të ndjekura gjatë procesit të prokurimit të një shërbimi shumë të rëndësishëm siç është “Shërbimi i dezinfektimit në zonat bregdetare dhe urbane”, për zonat Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë”.

“Në përfundim të kontrollit u konstatuan disa shkelje të ligjit për prokurimin publik, veçanërisht të rënda në kuadër të procesit të vlerësimit të ofertave sikundër dhe në fazën e shqyrtimit të ankesave, duke evidentuar se nuk janë përdorur të njëjtat kritere për vlerësimin e ofertuesve”, – theksoi Gjonaj.

“Për këtë arsye, – shtoi ministrja, – janë rekomanduar 8 masa disiplinore, Largim nga puna”, bazuar në legjislacionin përkatës, për anëtarët e KVO-së, konkretisht: Nëndrejtorin e përgjithshëm të Institutit të Shëndetit Publik; përgjegjësin e sektorit të Sëmundjeve Infektive; mjekun në sektorin e Sëmundjeve Infektive”.

“Gjithashtu janë rekomanduar masat “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”, për anëtarët e komisionit të shqyrtimit të ankesave, për procesin e vlerësimit të operatorëve ekonomikë, konkretisht: Përgjegjësin e Departamentit të Informimit Shëndetësor, Teknologjisë dhe Komunikacionit, 2 specialistë në sektorin e Zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit dhe në sektorin e Kërkimit në Popullatë si dhe “Vërejtje” për përgjegjësin e sektorit të Laboratorëve (Shëndeti dhe Mjedisi) dhe specialistin entomolog”, – tha Gjonaj.

Sipas saj, janë rekomanduar gjithashtu edhe masa administrative për përmirësimin e veprimtarisë të institucionit, me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore në bazë të shkeljeve të konstatuara nga inspektimi i kryer nga Task Forca Antikorrupsion.

“Nga strukturat kundër korrupsionit në Policinë e Shtetit, bëri të ditur Gjonaj, për periudhën nga javën që lamë pas janë evidentuar 11 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, duke proceduar penalisht 15 autorë”.

“Për të gjitha rastet e evidentuara, nga strukturat për hetimin e korrupsionit janë kryer veprimet hetimore dhe referuar në Prokurori, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “Shpërdorimi i detyrës”, – përfundoi Gjonaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.