TIRANË, 2 maj /ATSH/ – Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë kryer një inspektim në Kishën e Shën e Premtes, pranë fshatit Povelçë, Fier. Kisha, monument kulture e kategorisë I, paraqet një tipologji mjaft interesante, e cila sipas prof. Aleksandër Meksit daton rreth shekujve XIII – XIV.
Sot objekti paraqet degradime të thella në strukturën e tij, vërehen ndërhyrje të papërshtatshme në muraturë, si dhe ka probleme me terrenin në të cilin ndodhet.
Gjatë inspektimit specialistët realizuan rilevimin e elementëve konstruktivë dhe arkitektonikë, si dhe verifikuan gjendjen e konservimit, duke evidentuar saktësisht problematikat, për të vijuar më tej me hartimin e projektit të restaurimit.
Kjo kishë është e famshme në të gjithë trevën e Myzeqesë për mrekullitë që i atribuohen. Kisha ishte pjesë e ndalesave të Ismail Qemalit gjatë rrugëtimit të pavarësisë dhe gjithashtu pjesë e vendngjarjeve në romanin e të madhit Jakov Xoxa ”Lumi i vdekur”.
Qëndresa e strukturës së saj në shekuj ka bërë që banorët përreth të besojnë se aty ka fuqi hyjnore duke e frekuentuar si vend pelegrinazhi. /a.a/j.p/























