Casillias kalon infarkt, kthimi në fushë gati i pamundur

TIRANË, 2 maj/ATSH- A. Fortuzi/- Ish-portieri “Real Madrid”, aktualisht te “Porto”, Iker Casillias ka rrezikuar të humbë jetën për shkak të një infarkti të miokardit.

Sipas një artikulli të “La Gazzetta”, ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së mërkurës, ndërsa portieri ka kaluar natën në spital. Mjekët flasin për një situatë të normalizuar dhe një monitorim të vazhdueshëm të ritmit të zemrës të futbollistit. Casillias është lojtari me më shumë ndeshje të luajtura në “Ligën e Kampionëve”, 181 të tilla dhe e ka fituar kompeticionin tri herë me “Real Madrid”, skuadër me të cilën u aktivizua për 20 vite me radhë.

Sipas mjekëve, Cassilias do monitorohet për dy deri në tre ditë, ndërsa më tej do vijojë rikuperimin në kushte shtëpie. Momentalisht nuk ka shumë informacione për të ardhmen e futbollistit, por  thuhet nga burime pranë tij sqarojnë se e keqja ka kaluar dhe se ai do rikuperojë 100% nga kjo problematikë.

Pikyetja e madhe mbetet rikthimi në fushën e blertë. Casillias është 37-vjeç dhe për të kaluar infarktin mjekët i kanë instaluar një “stent”. Sipas mjekut të kombëtares spanjolle, Atonio Corbalan, “është e pamundur që me një “stent” të kthehesh në aktivitet sportiv”, tha ai për TVE, ndërsa shtoi se padiskutim, që Casillias mund t’i kthehet pa asnjë problem jetës së tij normale, por jo futbollit të luajtur.

Në drejtim të Cassilias ka pasur dhe shumë mesazhe mbështetje, mes të tjerave dhe nga Lionel Messi. Cassilias ka fituar 11 trofe, 5 La Liga, 8 tituj ndërkombëtarë, 3 botërorë për klube dhe tre Liga Kampionësh. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.