TIRANË, 1 prill /ATSH – I. Vata/ – “Ne jemi të hapur për konsensus me opozitën dhe e konsiderojmë shumë të rëndësishme për agjendën tonë europiane”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një studio televizive, ndërsa përgëzoi qasjen e re të opozitës për të hyrë në zgjedhje.
Dyke folur për shtyrjen e afatit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Balla tha se komisioni ka bërë një punë të shkëlqyer.
“Mund ta kishim miratuar që në dhjetor, sepse ajo që është në draft është kalimi nga rekomandimet në amendamente në nene të Kodit Zgjedhor. Ajo që Shqipëria duhet të bëjë në këto moment është pikërisht vijimi i reformave. Të gjithë shqiptarët e dinë sot se nuk është reforma zgjedhore që e ka nxjerrë PD nga parlamenti, nuk është drafti i cili është punuar me dakordësinë e tyre, por është pikërisht frika nga vijimi i implementimit të Reformës në Drejtësi”, tha ai.
Balla tha se opozita është kundër reformës zgjedhore, reformës në drejtësi
“Nuk ka shqiptar që të mos e dijë se Luzim Basha sot është kundër negociatave është kundër miratimit të Kodit Zgjedhor, është kundër zgjedhjeve megjithëse ende shpresoj se përtej vetëvrasjes politike me mandatet nuk do të bëjë asgjësim tërësor të strukturës politike të PD-së me mospjesëmarrje në zgjedhje. Por ajo që është e qartë se kjo sjellje e Bashës, Kryemadhit, Berishës ka të bëjë pikërisht me përpjekjen e fundit është për t’i ngritur stërkëmbëshin e radhës kundër vijimit të punës në reformën në drejtësi sikurse kanë dështuar në mënyrë të suksesshme prej viti 2016 do të dështojnë edhe kësaj radhe sepse tashmë jemi në fazën finale të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Javën e kaluar ishte këtu ministri i drejtësisë së Holandës i cili vlerësoi reformën në drejtësi. Ngritja e KLP dhe KLGJ ka bërë të mundur të kemi dhe institucionet bazë përfshirë këtu dhe Gjykatën kushtetuese”, tha ai.
Duke folur për protestat e opozitës dhe kërkesat e saj, Balla theksoi se dy janë arsyet; frika nga drejtësia e re që po lind dhe përpjekja për të dëmtuar vendimmarrjen e qershorit nga Këshilli Europian, pra për të dëmtuar hapjen e negociatave. Lidershipi aktual i opozitës Kryemadhi-Basha e konsiderojnë momentin historik të hapjes së negociatave si një shuplakë ndaj tyre dhe duan dhe do bëjnë gjithçka për të penguar, njollosur, baltosur Shqipërinë në prag të vendimmarrjes”.
I pyetur për protestën e së mërkurës nga opozita, Balla tha se punimet e Kuvendit zhvillohen normalisht.
“Ju e keni arë si si ka ardhur në rënie numri i njerëzve në protestën e Lulit dhe Monikës sepse këto nuk janë protesta të popullit. Të gjithë e dinë se këto nuk janë protesta e popullit. Kujtoj protestat e studentëve që kishin realisht çështje që kishin të drejtë. Studentët protestonin për përgjysmim tarifash dhe kishin të drejtë, për kushte më të mira dhe sot kujtoj që kërkonin bibliotekë dixhitale dhe sot kryeministri realizoi dhe një prej kërkesa e studentëve. Çfarë kërkesash ka opozita? Do pushtet në tavolinë dhe hajde të bëjmë qeverinë bashkë. Ne jemi votuar të qeverisim, Lulzimi është votuar të rrijë në opozitë”, tha ai.
I pyetur për sa i përket vjedhjes së zgjedhjeve, Balla tha se zgjedhjet e vitit 2017 janë certifikuar nga OSBE/ODIR dhe Komisioni Euripopian thotë se rezultati i zgjedhjeve është pranuar nga të gjitha palët, pra Lulzim Basha i pranoi zgjedhjet.
I pyetur nëse mazhoranca do të hyjë në zgjedhje pa opozitën, Balla theksoi se përgëzon qasjen e re të Partisë Demokratike që po bëhet gati për të hyrë në zgjedhjet vendore dhe shpresoj që PD të hyjë në zgjedhje. Por nëse opozita nuk hyn në zgjedhje ne do të përmbushim detyrimin ligjor do marrim pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.” /j.p/























