LONDËR, 25 mars /ATSH-AFP/ – E përfshirë në dosjen Brexit, që mundësoi ardhjen e saj në pushtet, 62-vjeçarja Theresa May ka përjetuar rënien e autoritetin për këtë çështje, aq sa deputetët dhe europianët janë irrituar, ndërkohë që vendi po kalon një krizë nervash.
Ardhja në pushtet e konservatores jokarizmatike dhe këmbëngulëse në krye të qeverisë britanike, në korrik të 2016-ës, të nesërmen e referendumit që vendosi daljen e vendit nga BE-ja, fillimisht u dha siguri britanikëve.
Por, pothuajse tre vite më vonë, tentativat e pasuksesshme për të detyruar kalimin në parlament të marrëveshjes së daljes, të cilën ajo vetë e ka përmbyllur me BE-në, kanë vënë në dukje mungesën e aftësive të saj politike.
”Ajo ka nënvlerësuar përçarjet brenda partisë së saj dhe vështirësinë e negociatave me Brukselin”, thonë analistët dhe mediat.
“Ajo si fillim u shfaq si një forcë bashkuese, por më në fund tregoi pak guxim, pak imagjinatë dhe pak talent në menaxhimin e bisedimeve për Brexit-in”, shkruan revista konservatore «The Spectator», në një editorial provokues të kohëve të fundit.
Gabimi më i madh që ajo bëri ishte zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme, në pranverë të 2017-ës, me idenë që do të forconte pushtetin e saj, ndërkohë që këto zgjedhje i kushtuan asaj shumicën. Ajo u detyrua më pas të bashkonte forcat me një parti të vogël ultrakonservatore të Irlandës së Veriut, DUP, që i dikton kërkesa për Brexit-in duke dobësuar kështu autoritetin e saj.
Pas kalimit nga kriza në krizë, ajo u përball me disa dorëheqje nga kabineti i saj, dy mocione mosbesimi, njëri prej të cilëve i orkestruar nga partia e saj dhe dy refuzime nga deputetët, në janar dhe mars për marrëveshjen e Brexi-it.
Por, ajo ka një cilësi të pamohueshme, këmbënguljen, që bazohet në idenë që ajo ka për misionin e saj: drejtimin në mënyrën e duhur të daljes nga BE, me votën e britanikëve.
Ndjenja e detyrës
Kjo ndjenjë detyre, vjen nga përvoja e saj si vajzë pastori.
“Kur je bija e një pastori, ke përgjegjësi të caktuara,” tha ajo për ”Daily Telegraph” në vitin 2012.
Vajzë e vetme, ajo u rrit në një fshat në jugperëndim të Anglisë. Diskrete, ama shumë ambicioze, ajo që në adoleshencë kishte ëndrrën për t’u bërë politikane dhe për t’u bërë gruaja e parë në krye të qeverisë britanike.
Pasi Margaret Thatcher ia mori këtë titull, ajo mundi të bëhej gruaja e parë në postin e sekretares së përgjithshme të Partisë Konservatore nga viti 2002 në vitin 2003. Ajo u shfaq gjatë një fjalimi ku u bënte thirrje pjesëtarëve të Partisë Konservatore që të shkëputeshin nga imazhi i tyre si “nasty party” (“partia e të këqijve”).
”Ajo është një konservatore që beson tek drejtësia sociale”, thotë ish-këshilltari i saj, Nick Timothy.
Pasi mbështeti David Cameron në marrjen e partisë në vitin 2005, ajo trashëgoi portofolin e Brendshëm, ndërkohë që erdhi në Downing Street në vitin 2010.
Ajo e mbajti për gjashtë vjet këtë pozicion dhe u karakterizua nga drejtimi i fortë i çështje së migrimit. Por, shkurtimet e buxhetit në polici që drejtoheshin prej saj u kritikuan, pas një sërë sulmesh nga grupi xhihadist i Shtetit Islamik në pranverë të 2017-ës, rritjes së kriminalitetit dhe vrasjeve me armë.
E përshkruar si e dashur prej personave të saj të afërt, Theresa May vuan nga një imazh i ftohtë dhe nga mungesa e ndjeshmërisë, ndërkohë që deklaratat e saj publike shpeshherë të përsëritura dhe pa pasion i dhanë asaj pseudonimin «Maybot», ose May roboti.
Ajo u mundua ta prishte këtë imazh duke improvizuar disa hapa vallëzimi në skenë para një fjalimi, por arriti vetëm që të kënaqte karikaturistët mizorë britanikë.
Të vetmit tregues të dukshëm të fantazisë së saj janë gjerdanët e rëndë dhe shajet me motive leopardi.
”Poshtë gjerdanëve të rëndë dhe shajeve me motive leopardi ndodhet dikush që di të ndërmarrë rreziqe”, sipas ish-këshilltares së saj për marrëdhëniet me publikun Katie Perrior./ /esko/ a.jor.























