Ballina Aktualitet

Kodheli: Qeveria përgjegjëse për vendin, Vetingu duhet të vazhdojë

TIRANË, 12 mars/ATSH/ – “Qeveria shqiptare është përgjegjëse për vendin dhe jo për krizat e shkaktuara nga dikush tjetër dhe procesi i Vetingut duhet të vazhdojë me ngulm”.

Kështu u shpreh deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli gjatë një interviste televizive, duke theksuar se qeveria është në punë dhe do vijojë të jetë deri në fund të mandatit të saj.

“E kam thënë dhe në një intervistë televizive një ditë më parë, ndonëse fjalët e mia u deformuan nga portalet, që qeveria duhet të ndjejë përgjegjësi për të gjitha situatat e krijuara në vend, por problemi është që qeveria nuk është aktori dhe faktori i vetëm i jetës politike. Patjetër që qeveria ndjen dhe ka përgjegjësitë e veta. Kjo nuk do të thotë që qeveria është përgjegjëse për krizën që ka shkaktuar dikush tjetër, janë gjëra të ndryshme. Qeveria jo vetëm që do të jetë përgjegjëse për punët e vendit, por do të vazhdojë gjatë që të kujdeset për to”, – u shpreh Kodheli.

Deputetja Kodheli u shpreh e bindur se opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të qershorit.

“Qeveria do të vazhdojë punët e veta. Mazhoranca do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Por unë jam e bindur se opozita do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do të publikojë kandidatët. Vendimi i Hajdarit konvergon me qëndrimin real të një opozite reale, që kërkon realisht mbështetjen e Shqipërisë në hapjen e negociatave dhe që kërkon realisht që të bëjë opozitën sot. Kemi zgjedhur një sistem, i cili vë partinë para individit, por kjo nuk do të thotë që populli që voton nuk e di çfarë përfaqësojmë ne dhe nuk njeh fytyrat tona”, – vijoi ajo.

Deputetja socialiste ka dhënë opinionin e saj dhe për ngjarjen e ndodhur pranë gjimnazit “Petro Nini” në Tiranë.

“Fakti që drejtori i Policisë së Tiranës është larguar nga puna tregon shumë. Duhet të menaxhohen ndryshe situatat dhe nuk do të futesha në diskutim se kush ka të drejtë në këtë mes. Vetingu duhet të vazhdojë, me forcë madje, që të mos krijohen këto situata jo fort të mira”, – u shpreh Kodheli.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPS takim me 25 parti politike: Mbështetje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Artikulli tjetërRritet punësimi në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme