Ballina Ekonomi

Rritet punësimi në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

TIRANË, 12 mars/ATSH/ Në Shqipëri numri i ndërmarrjeve të vogla të mesme është 99,8%, i njëjtë me BE.

Sipas statistikave, numri i të punësuarve në këtë grup ndërmarrjesh është 80,3% në Shqipëri nga 66,4% në BE. Vlera e shtuar e realizuar nga NVM në Shqipëri përbën 68,3% nga 56,8% në BE.

INSTAT publikoi sot statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për vitin 2017.

Sipas statistikave, përqindjen më të lartë të punësimit në mikrondërmarrje me 73,4%, e zë sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Sektori i ndërtimit ka përqindjen më të lartë të punësimit në ndërmarrjet e vogla me 30,1%. Sektori i industrisë përpunuese ka përqindjen më të lartë të punësimit në ndërmarrjet e mesme me 37,2%.

Po ashtu, sipas statistikave të INSTAT, 99,8% të ndërmarrjeve aktive e zënë NVM, nga 99,9% që zinin vitin e kaluar. Sektori i tregtisë ka peshën më të madhe me 41,4%, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 20,8%. Përqindjen më të ulët e ka sektori i industrisë nxjerrëse me 0,4% dhe sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 0,6%. /m.m/j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKodheli: Qeveria përgjegjëse për vendin, Vetingu duhet të vazhdojë
Artikulli tjetërGJERMANI – Merkel: BE ofertë të qartë dhe në përputhje me Londrën për Brexit