TIRANË, 1 mars /ATSH/ – E drejta e votës për Diasporën e bën atë të mos ndihet e huaj.
Edmond Ademi, ministër për Marrëdhëniet me Diasporën në Maqedoninë e Veriut, në fjalën e tij në panelin e Samiti të Dytë të Diasporës, “Vota si e drejtë – Politika e re shtetërore për Diasporën”, theksoi se “rrjedha e globalizmit sot po i jep rëndësi të veçantë Diasporës. Diaspora po merr një rol të ri në politikat shtetërore dhe po shihet si forcë për zhvillimin e shtetit, në aspektin e zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor”, tha Ademi.
“Politikat e reja duke i dhënë të drejta Diasporës e bëjnë atë më vitale. E drejta e votës për Diasporën e bën atë të mos ndihet e huaj. E drejta e votës është rëndësia më e madhe për qytetarët. E drejta e votës përcakton demokracinë. Demokracia lejon që pushteti të ndryshohet pa gjak dhe dhunë”, theksoi Ademi.
“Republika e Maqedonisë së Veriut është deklaruar gjithëpërfshirëse për dhënien e së drejtë së votës së çdo shtetasi, pavarësisht nëse është në Maqedoninë e Veriut apo jashtë saj. Të gjithë shtetasit kanë të drejtën e votës në selitë diplomatike kudo në botë”, tha Ademi.
“E drejta e votës për Diasporën nuk e shkëput atë nga shteti amë, por e bën pjesë të saj dhe thyhen largësinë gjeografike. E bën politikën mjet inkluziv dhe jo përçarës. Maqedonia e Veriut e ka tashmë në Kushtetutën e saj Diasporën si kategori Kushtetuese me ndryshimet e fundit që ndodhën në Kuvend”, tha Ademi.
/gj.mima/ /a.g/























