TIRANË, 1 mars/ATSH-Maela Marini/ “Ne do të sigurojmë të drejtën e votës për emigrantët, me ose pa konsensus”, – deklaroi sot nga Samiti i Diasporës, Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri u shpreh se “në Samitin e Parë të Diasporës ne kemi mbledhur të gjitha çfarë kemi thënë dhe i kemi mbajtur shënim”.
“Mbi atë bazë, ne kemi ndërtuar disa procese, por të gjithë pa përjashtim keni thënë diçka: duam të votojmë, të shprehim vullnetin si diasporë për të vendosur se kush e qeveris Shqipërinë. Ne ju kemi thënë se e kemi në program dhe është angazhim i yni dhe duam ta bëjmë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shprehu keqardhjen që deri tani nuk është gjetur dakordësi për këtë çështje.
“Ju siguroj se për votën tuaj, të drejtën e votës tuaj dhe mundësinë tuaj për të votuar ka vetëm dy rrugë për ne: ose do ta bëjmë, ose do ta bëjmë. Uroj që ta bëjmë të gjithë së bashku me konsensus, nëse jo, do ta bëjmë edhe pa konsensus”, – nënvizoi Kryeministri Rama. /j.p/























