TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ – Fushatës së mbjelljes së pemëve i janë bashkuar edhe administratorët e zgjedhur të pallateve.
Bashkë me banorët dhe me punonjësit e ndërmarrjes Nr. 1 të bashkisë së Tiranës, ata po kontribuojnë çdo ditë për gjelbërimin e hapësirave para pallateve, duke përmirësuar jetesën në komunitet. Aksionit të sotëm në bllokun e pallateve pranë zonës së “Komunës së Parisit” iu bashkua edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në të gjithë kryeqytetin një numër i konsiderueshëm pallatesh kanë përfunduar procesin administrativ të zgjedhjes së administratorit dhe e kanë legalizuar atë me një kontratë. Kreu i bashkisë së Tiranës nënvizoi faktin se ky proces sjell më shumë rregull në administrimin e problematikave të banorëve të pallateve.
Veliaj falenderoi të gjithë administratorët për kontributin e dhënë për fushatën e mbjelljeve në Tiranë dhe kërkoi mbështetjen e tyre për vijimin e aksionit deri në datën 22 prill.
Administratori i bllokut të pallateve pranë zonës së “Komunës së Parisit”, Taulant Ahmetaj u shpreh se falë kësaj nisme cilësia e jetës në komunitet është përmirësuar ndjeshëm dhe se banorët gëzojnë të gjitha shërbimet. z.tosku/ /a.g/























