Mbi 900 aplikime në platformën e ekselentëve, shtyhet afati i aplikimit për studentët

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/- Mbi 900 aplikime janë kryer deri tani nga studentët ekselentë që kanë përfunduar studimet, për të fituar një vend pune në Administratën Publike përmes platformës online “punë të mbarë.al”.

Kështu deklaroi sot drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, në studion e ERTV.

“Absolutisht që platforma ka gjetur interes të jashtëzakonshëm, sepse aplikimet deri tani shkojnë në mbi 900, përtej vendeve të punës që ne kemi shpallur. Mos të harrojmë që akoma ka kërkesa që vijnë pranë DAP-it dhe institucioneve të administratës, nga studentë që duan të aplikojnë”, – theksoi Koçiu.

Por, vijoi ajo, për shkak se sekretaritë nuk funksionojnë siç duhet, studentët nuk kanë marrë dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar në këtë platformë.

“Kjo është arsyeja pse qeveria ndërmori afatin për të shtyrë afatin e aplikimit edhe më tej, për t’u dhënë mundësi studentëve që të marrin dokumentacionin”, – tha Koçiu.

Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike u shpreh se “interesi është i lartë, por ndërkohë kemi filluar procesin e seleksionimit, pra për të parë që nëse të gjithë aplikantët plotësojnë kriterin e mesatares 9-10. Gjatë këtij procesi kemi mundur të seleksionojmë si kandidatë potencialë rreth 400 aplikantë”, – tha Koçiu, duke shtuar se pjesa tjetër është ende në proces.

Drejtoresha e DAP sqaroi se dokumentacioni i nevojshëm për aplikim është shumë i thjeshtë, një diplomë, lista e notave që është e detyrueshme, sepse është i vetmi dokument që vërteton plotësimin e mesatares, vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore, karta e identitetit dhe një CV të parë, ku mund të shkruajnë ku kanë mbaruar studimet.

Lidhur me procedurën e aplikimit, Koçiu tha se “mjafton të klikosh në platformë, të krijosh një profil personal, të hedhësh dokumentacionin dhe të aplikosh në një nga shpalljet që është tashmë e vlefshme në platformë”.

Ajo shpjegoi edhe një herë se për të fituar një vend pune në administratë, nuk është e vërtetë që nevojitet me patjetër edhe diploma me nivelin “Master”.

Sipas saj, janë mbi 500 vende të lira pune që kërkojnë vetëm nivelin “Bachelor”.

“Janë mbi 500 pozicione për të cilat niveli minimal është niveli “Bachelor”. Kush e ka “Bachelor”-in me një listë notash me mesatare 9 deri në 10, është i vlefshëm të vijë dhe të aplikojë në platformë. Duke patur në konsideratë që duhet të ketë mbaruar studimet nga viti 2017 e më tej”, – theksoi Koçiu.

Kjo, shtoi ajo, i përgjigjet një shqetësimi që vinte në DAP me të sapodiplomuarit, që thoshin se “ku do e zhvillojmë karrierën, ne nuk na jepet mundësia të punësohemi, sepse penalizohemi, se nuk kemi eksperiencë dhe vendet që ju shpallni kërkojnë eksperiencë pune”.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyer për këdo që kërkon vend pune, por nuk ka eksperiencë”, – përfundoi Koçiu. /k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.