TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ – Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet linjave ajrore për/nga vendi ynë në 2018 është 2.947.172, ose 12% më i lartë se ai i një viti më parë, ku shifrat shkuan në 2.630.338 pasagjerë.
Autoriteti i Aviacionit Civil në analizën statistikore për 2018 bën të ditur se “viti 2018 shënoi rritje të madhe të numrit të pasagjerëve krahasuar me vitet e mëparshme. Trafiku ajror ka ardhur në rritje të vazhdueshme dhe fluksi i udhëtarëve është shtuar ndjeshëm”.
Sipas AAC, përveç një kërkese në rritje të pasagjerëve që udhëtojnë nga dhe drejt TIA-s, viti 2018 shënoi edhe rritjen e numrit të kompanive, të cilat operojnë me fluturimet e tyre në Shqipëri, duke krijuar edhe destinacione të reja në shërbimet e tyre.
“Pjesë e rëndësishme e të dhënave në rritje tashmë është edhe numri i lartë i turistëve të huaj të ardhur në vendin tonë, si dhe numri i kompanive të fluturimeve charter, të cilat përgjatë muajve të verës rritën ndjeshëm jo vetëm numrin e pasagjerëve por edhe numrin e destinacioneve të reja”, thekson AAC.
Po ashtu AAC shprehet se “fluksin më të madh të pasagjerëve përgjatë vitit 2018 duket se e mban kompania italiane “Blue Panorama” me 21% ndaj totalit. Ndjekur nga “Ernest S.p.A” me 12% ndaj totalit. “Albawings” gjithashtu ka një përqindje të lartë në zotërimin e tregut për vitin 2018 me një shifër totale prej 11%”.
Për sa i përket anës tjetër të medaljes, kompanive që kanë pasur numrin më të ulët të pasagjerëve përgjatë vitit 2018, AAC thotë se “e fundit në listë mbetet kompania “Mistral Air”, si rrjedhojë e ndërprerjes së operimeve në muajin Prill. Gjithashtu numër të ulët të pasagjerëve ka shënuar kompania “Volotea” me 14,516 pasagjerë në vit. Sikurse është theksuar periudha e korrikut dhe gushtit, janë muajt të cilët pasqyrojnë kulmin e kurbës për sa i përket numrit total të pasagjerëve në vitit 2018”.
Sipas AAC, ky faktor vjen si rrjedhojë edhe e numrit të shtuar të kompanive charter, të cilat operuan në Shqipëri, ku gjatë këtij viti ishte në shifrat rekord krahasuar me vitet e kaluara. /k.s/j.p/























