TIRANË, 8 Janar /ATSH/ – Pajisja me kartat e identitetit dhe pasaportat e reja për shumë qytetarë, të cilëve ato u skadojnë në gjysmën e parë të vitit 2019, është një prioritet i rëndësishëm.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj shprehet se, “qytetarët duhet të informohen për datën e skadimit të dokumenteve, pasi me të lidhet fati i shumë shërbimeve të rëndësishme”.
Lleshaj thekson se, “Zyrat e Gjendjes Civile janë në dispozicion për të informuar dhe ndihmuar qytetarët”.
“Neglizhenca për të kryer detyrimin e pajisjes me dokumentet bazë të identifikimit mund të krijojë probleme për marrjen e shumë shërbimeve të rëndësishme, që nga udhëtimet jashtë vendit e të tjera”, nënvizon ministri Lleshaj.
Ministri shton se, “institucionet do të kushtëzojnë dhënien e shërbimeve, për personat që janë në muajt e fundit të vlefshmërisë së dokumenteve, me paraqitjen e vërtetimeve mbi aplikimin për dokumentin e ri”.
Ndaj lutem, thekson ai, “verifikoni dokumentet e identitetit dhe mos harroni t’i bëni shërbimin e duhur vetes!”
/gj.mima/j.p/













