FOKUS – Ceremoni simbolike për hekurudhën mes dy Koreve

PHENIAN, 26 dhjetor /ATSH-AFP/ – Dy Koretë zhvilluan sot një ceremoni simbolike për inaugurimin e punimeve për të riparuar hekurudhën që lidh dy shtetet e ndara.

Lidhja e rrjeteve hekurudhore dhe rrugore mes dy Koreve janë pjesë e masave të marra për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale të vendosura nga presidenti koreano-jugor Moon Jae-in dhe nga lideri koreano-verior Kim Jong Un gjatë takimit të tretë ndërkorean, që u zhvillua në shtator në Phenian.

Dy Koretë janë teknikisht akoma në luftë meqenëse në fund të konfliktit të tyre në vitin 1953, nuk është firmosur asnjë traktat paqeje.

Seuli nënvizojë se kjo ceremoni nuk do të shënojë fillimin e mirëfilltë të punimeve.

”Ky projekt bazohet mbi një dëshmi të angazhimit nga dy shtetet”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë koreano-jugore të Bashkimit.

”Punimet do të fillojnë në varësi të progresit të realizuar për denuklearizimin e Veriut”, u shpreh zëdhënësi.

Ndërkohë, shefi i shërbimit koreano-verior për hekurudhat, Kim Yun Hyok, tha se Jugu nu duhej të ndiqte shembullin amerikan, që refuzon heqjen e sanksioneve kundër Veriut për aq kohë që ai nuk heq dorë nga arsenali i tij nuklear.

”Në qoftë se Jugu vazhdon të nxjerrë justifikime, atëherë ky bashkim nuk ka për të ndodhur kurrë”, tha Kim Yun Hyoku gjatë një ceremonie të organizuar në stacionin e trenit të Panmunit, në Korenë e Veriut.

Por, pak çaste më pas, rreth 10 përfaqësues të çdo shteti vunë në lëvizje levat për të lidhur në mënyrë simbolike shinat që çojnë nga njëri shtet deri te tjetri./ /jm/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.