Treguesit ekonomikë në rritje, kanë nxitur ecurinë e kreditimit

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ – Përmirësimi i aktivitetit ekonomik dhe politika monetare stimuluese kanë dhënë efekte pozitive në ecurinë e kreditimit.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka vijuar të mbështetet nga politika monetare stimuluese. Kjo politikë është transmetuar nëpërmjet nivelit të ulët të normës bazë të interesit, injektimit të vazhdueshëm të likuiditetit në tregun e brendshëm financiar, orientimit të tregut mbi kahun e politikës monetare në të ardhmen, si dhe ndërhyrjeve selektive në tregun valutor gjatë periudhës së verës.

Normat e ulëta të interesit kanë mbështetur zgjerimin e kreditimit: e pastruar nga efekti i kursit dhe nxjerrja e kredive jashtë bilancit, kredia për sektorin privat u rrit me 4,9% dhe 4,5%, përkatësisht gjatë tremujorit të tretë dhe dy muajve të parë të tremujorit të katërt. Gjithashtu, normat e ulëta të interesit kanë ndihmuar ristrukturimin e kredive, duke lehtësuar kostot e shërbimit të borxhit dhe duke përmirësuar stabilitetin e sistemit financiar, thekson Banka e Shqipërisë në raportin e publikuar së fundi. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.