TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Bashkia Tepelenë ka përmbyllur me sukses takimin mbi analizën, buxhetin dhe planin e përgjithshëm vendor.
Gjatë 2 muajve të fundit bashkia Tepelenë ndërmori një plan të gjerë konsultativ të shtrirë në 4 njësitë përbërëse të saj.
Në këto takime u konservua Analiza e Veprimtarisë 3-vjeçare, me reformën territoriale pas 2015-tës, Planifikimi i Buxhetit për 2019, si dhe Dëgjesat mbi Hartimin e Nismës së Planit të Përgjithshëm Vendor, i cili startoi në tetor të këtij viti.
Gjatë takimit përmbyllës, u prezantua puna dhe performanca e bashkisë Tepelenë për periudhën 2016-2018, në aspektin e shpenzimeve financiare, projekteve dhe investimeve.
Kryetari i bashkisë, Tërmet Peçi bëri një panoramë shteruese të gjithë punës së bashkisë, ku ishte analizuar në mënyrë të detajuar format e investimeve fizike në territorin e bashkisë gjatë këtyre tre viteve.
Më pas u bë edhe prezantimi i Buxhetit te vitit 2019, i specifikuar sipas zërave buxhetore dhe investimeve prioritare.
Per sa i perket PPV, kryetari i bashkisë Tepelenë, Tёrmet Peçi, theksoi rëndësinë e veçantë që ka Plani për bashkinë e Tepelenёs, nëpërmjet drejtimit, orientimit, zhvillimeve dhe investimeve në territor për 15 vitet në vazhdim.
Sipas Peçit, hartimi i këtij plani në mënyrë sa më racionale dhe në përputhje me nevojat e banorëve dhe të bashkisë, do të ndodhë vetëm nëse do të ketë bashkëpunim dhe koordinim midis banorëve, stafit të bashkisë dhe studios konsulente.
Në fazën e dytë të takimit u bë dëgjesa publike për Planin e Përgjithshëm Vendor, prezantuar nga specialistë të studios Konsulente “ARCHISPACE sh.p.k.”
Para diskutimit u bë një prezantim i procesit të ndjekur deri në atë moment si dhe të metodologjisë së punës.
Gjatë këtij prezantimi, pjesëmarrësit në dёgjesë publike, u njohën me përgjegjësitë dhe qëllimet e PPV-Tepelenë, si dhe me elementet e Analizës dhe Vlerësimit të Territorit, pjesë të Fazës së parë të Procesit.
Fokusi i prezantimit të analizës ishte në paraqitjen sa më të qartë të problematikave, nevojave dhe mundësive të zhvillimit të të gjithë territorit të bashkisë Tepelenë.
Përfaqësues të Studios Konsulente, njohën të pranishmit me gjetjet e rëndësishme të Analizës së Përgjithshme të Territorit të bashkisë Tepelenë, të cilat do të mund të shërbejnë si mundësi zhvillimi strategjik në perspektive për këtë njësi vendore.
Prezantimi u fokusua në analizën e elementëve të fortë territorialë, si prania e lumenjve Vjosё, Drinos dhe Bёnçё, kanionet e Nivicёs, mali i Golikut, gryka e Mezhgoranit, Uji i Ftohtë Tepelenë, etj., të cilët mund të transformohen në gjeneratorë të zhvillimit territorial të bashkisë.
Një ndër çështjet më të rëndësishme për hartimin e një plani në përputhje me nevojat e territorit bashkiak dhe të banorëve, e cila u theksua gjatë takimit, është bashkëpunimi me banorët e zonës. Për këtë arsye, pas prezantimit të Analizës, diskutimi u moderua në formën e një bashkëbisedimi me pjesëmarrësit.
Diskutimet u fokusuan në nevojat e bashkisë Tepelenë, si dhe mbi prioritetet e zhvillimit në perspektiv, ku u shqyrtuan nevojat më primare në kuadër të zhvillimit të sektorëve të ekonomisë së zonës, përmirësimet në zonat e banimit në qytet apo në zonat rurale, nevojat urgjente infrastrukturore, mundësitë e zhvillimet e turizmit, etj.
Ky Plan do të vijojë në edhe gjatë muajve pasardhës, ku do të kërkohet edhe takimi për konsultime të mëtejshme, me qëllim realizimin sa më të qëndrueshëm dhe efektiv të strategjisë. /m.z/a.g/





























