TIRANË, 8 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Partia Demokratike nderoi sot Lëvizjen Studentore 1990, në një tubim të organizuar tek memoriali i Azem Hajdarit, në Qytetin Studenti.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ftoi qytetarët që të ngrihen kundër atyre që po mbajnë peng ekonominë shqiptare dhe pasuritë publike.
“Pak më tej, në bulevardin e ri, qindra familje presin me ankth prishjen e shtëpive të tyre pa marrë asnjë lekë dëmshpërblim, njësoj si banorët e Unazës së re, projekti korruptiv më i shtrenjti në Europë”, tha Basha.
Shpirti i rinisë studentore shqiptare, sipas Bashës, “është ngritur përsëri kundër padrejtësisë dhe po hap një fashë drite për të dalë nga kjo gropë e errët, njësoj si studentët e dhjetorit ’90”.
“Studentët e nisën protestën e tyre me një kërkesë të drejtë ekonomike. Por, shpejt po e kuptojnë se ato janë vetëm simptomat e një sistemi të kalbur, që duhet çmontuar nga themelet dhe duhet rrëzuar dhe pastruar me çdo kusht”, tha Basha.
Detyra e PD-së si partisë që lindi nga lëvizja studentore e dhjetorit ’90, sipas Bashës, është që t’i prijë betejës për të hapur dhe pastruar politikën.
“Ta bëjmë politikën të ndershme dhe të aksesueshme nga çdokush. Vetëm kështu do të plotësojmë ëndrrën e dhjetorit ’90 dhe do t’i japim një trase të sigurt ëndrrës së studentëve të dhjetorit të dytë”, vijoi Basha.
Nga sheshi i Qytetit Studenti, Basha drejtoi një ultimatum politik. “Parlamenti shqiptar ose do të pastrohet nga krimi dhe do t’i kthehet qytetarëve ose do të rrëzohet”, tha Basha.
Ai ftoi qytetarët që të frymëzohen nga dhjetori 1990 dhe të mos kenë frikë por të bashkohen kundër padrejtësive. /j.p/






















