Ura e re mbi Drin, kartolina e “Rrugës së Arbrit”

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ – Në “Rrugën e Arbrit” që lidh Peshkopinë me Tiranën në më pak se një orë, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe të mallrave mes dy zonave, po punohet me ritme të larta.

Kjo nyje lidhëse, pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashmë pjesë e rëndësishme e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturores rrugore të vendit.

Kryeministri Edi Rama në një fotografi të publikuar sot prezanton urën e re mbi Drin, në Gjoricë/Maqellarë, pjesë e shtratit të Rrugës së Arbrit.

“Një kartolinë me një përqafim nga larg për ata që përqeshnin 3D e Rrugës së Arbrit: Kjo është ura e re mbi Drin, në Gjoricë/Maqellarë, pjesë e shtratit të Rrugës së Arbrit, ku po punohet me ritme e cilësi të lartë, nën supervizionin e një kompanie të specializuar gjermane, të kontraktuar nga shteti shqiptar për mbikëqyrjen e punimeve”, theksoi Kryeministri Rama.

“Rruga e Arbrit” kalon në Qarkun e Tiranës – në Njësinë Administrative të Zall-Bastarit dhe nëpërmjet tunelit të Murrizit, rruga kalon në territorin e bashkisë Klos e konkretisht në fshatrat Drezës, Xibër, Shkallë, fshati Fshat. Pas daljes nga tuneli i Qafë-Buallit rruga kalon në afërsi të urës së Cerenecit, si dhe në të djathtë të fshatit Shupenzë.

Kjo rrugë lidh rajonet Lindore dhe Verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.