Tarifa për provimet e mbartura kërkesë e universiteteve

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ – Tarifa për provimet e mbartura të studentëve, ka qenë një kërkesë e ardhur nga ana e e universiteteve dhe jo nga Ministria e Arsimit.

Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në një intervistë televizive e konfirmoi këtë fakt, duke e cilësuar si të çuditshëm reagimin e studentëve në këtë moment, në një kohë që VKM-ja është publikuar në muajin maj.

“Jemi të befasuar nga protesta e studentëve. Ministrja Nikolla ka qenë gjithmonë e gatshme për të diskutuar me studentët. VKM për rritjen e tarifës ka dalë që në muajin maj. Kjo VKM ka qenë kërkesë e universiteteve. Nëse një profesor e lë në provim një student disa herë, atëherë ai duhet thënë se mund të ketë një qëllim të keq”, – u shpreh Shahini.

Shahini shtoi faktin se studentët janë të mirëpritur në Ministri për dialog, i cili i paraprin zgjidhjes së situatës, duke shtuar se studentët po manipulohen nga partitë politike.

“Në disa vende të botës, 1 provim nuk mund të jepet më shumë se një herë. Ne ftuam një përfaqësi të studentëve, por ata nuk erdhën dhe zgjodhën për të qëndruar në rrugë. Protesta e tyre është tërësisht legjitime.

Padyshim se ata e kanë ndjerë presionin financiar, prandaj është edhe protesta. Studentët po manipulohen nga partitë politike. Tarifa për studim nuk është rritur që nga viti 2014, sot është dita kur ata dolën pas 4 vitesh. Nëse nesër ata do të jenë të gatshëm për të ardhur në Ministri, ne jemi aty dhe do t’i presim”, përfundoi ajo./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.