TIRANË,1 nëntor /ATSH/ – Voskopoja ruan në brendi të saj thesare të paçmuara të artit mesjetar. Ajo çka i jep kuptim dhe vlerë një vizite në Voskopojë janë kishat që mbajnë afreske me vlera të jashtëzakonshme në gjithë zonën e Ballkanit.
Specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës inspektuan Qendrën Historike të fshatit Voskopojë, objektet monument kulture të zonës, si dhe gjendjen e konservimit të tyre.
Fshati, i cili ka të ndërthurur vlerat historike, kulturore dhe bukuritë natyrore, tërheq vizitorët të shumtë vendas dhe të huaj.
Voskopoja mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, një perlë e kulturës ballkanike dhe europiane.
Voskopoja ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korçës mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit. Djep i kulturës bizantine ndër shekuj, plot histori e trashëgimi monumentale, kulturë, art, ashtu siç tregohet nga historia Voskopoja ka qenë një qytet i banuar që nga vitit 1330 që arriti kulmin e lulëzimit në 1764, kur kishte më shumë se 30.000 banorë, 24 kisha, akademi, bibliotekë dhe shtypshkronjë.
Sot ruan ende vlera të mëdha të artit mesjetar dhe copëza të shkëlqimit të dikurshëm me Kishën e Shën Athanasit dhe Manastirin e famshëm të Shën Prodhromit. E pozicionuar bukur mes kodrave, pyjeve me gjelbërim të përhershëm, Voskopoja është vendi ideal për t’u vizituar, në të gjitha stinët e vitit. /a.a/j.p/






























