TIRANË,20 shtator /ATSH/ – Punimet restauruese në çatinë e Kishës së Shën Sergjit dhe Bakut janë drejt përmbylljes në Qendrën Historike, Himarë.
15 pjesëmarrësit e Ateliesë së Restaurimit përjetuan një eksperience unike, duke realizuar punë konkrete konservuese-restauruese. Ata u bënë pjesë aktive e zbatimit të projektit të restaurimit të kishës, monument kulture i kategorisë I.
Tashmë po punohet në 4 metrat e fundit të çatisë, për të mirëpritur nesër të gjithë miqtë e dashamirësit, në ceremoninë e përmbylljes me sukses të Ateliesë së Restaurimit 2018.
Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut e shpallur monument kulture i kategorisë së parë është atraksioni turistik në bregdetin e Himarës, ku përveç bukurive të bregdetit jonian, turistët mund të prekin nga afër kulturën dhe trashëgiminë.
Kisha është ndërtuar brenda mureve rrethues të kështjellës së Himarës në kuotën më të lartë të saj, në zonën e Barbakasë. Ajo ka shërbyer si selia e peshkopit të Himarës, e cila bëhet qendër Peshkopale në vitin 1020, nën varësin e Patriarkanës së Ohrit siç dëshmohet nga një diplomë e lëshuar nga perandori i Bizantit Vasili II. Në këndin verilindor të kishës ndodhet një pllakë guri e murosur, ku shkruhej viti 786.
Kisha ka dy faza kryesore ndërtimi, por muret e kishës ruajnë gjurmë të rindërtimeve të shumta. Ndërtimi fillestar i përket naosit me pjesët e poshtme të mureve, sepse pjesët e sipërme janë ndërtuar disa herë. Një mjedis ndihmës në anën perëndimore është ndërtuar më vonë. Ndërtimi fillestar ndahet në mjedisin e altarit dhe mjedisin e naosit me një ikonostas muri. Kornizat e ikonostasit janë zbukuruar me motive floreale. /a.a/ /a.g/













