Gjiknuri: Partneriteti publik-privat, e vetmja mënyrë që garanton mirëmbajtjen e rrugëve

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ – Partneriteti Publik-Privat (PPP) është mënyra e vetme për të shpëtuar rrugët nga degradimi dhe që garanton mirëmbajtjen e tyre.

Kështu u shpreh, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ku u diskutua për huanë prej 16 milionë USD, që do të shkojë për përfundimin e autostradës Tiranë-Elbasan.

Gjiknuri tha se kosto e mirëmbajtjes së tyre është tejet e lartë, ndërkohë që buxheti i shtetit arrin të financojë vetëm një pjesë të shumës.

Sipas ministrit, qytetarët shqiptarë duhet të japin kontributin e tyre për mirëmbajtjen e rrugëve, çka do të thotë se ata duhet të paguajnë për kalimin në segmente të caktuar rrugorë.

Gjiknuri argumentoi se në kontratat e PPP, risku i dizenjimit dhe dorëzimit të punimeve të përfunduara të projektit i takon privatit, përkundrazi në rastet kur i merr përsipër këto projekte shteti, edhe kostot e rrisqet duhet t’i paguajë shteti.

Ministri garantoi se huaja prej 16 milionë dollarësh do të përmbyllë të gjitha punimet në autostradën Tiranë-Elbasan, ndërkohë që sipas parashikimeve ajo do të jetë e hapur për kalimin e automjeteve në dhjetor të këtij viti. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.