Terminali i ri në Portin e Vlorës, përfundon brenda dy muajsh

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ – Një terminal i ri pasagjerësh po ndërtohet në portin e Vlorës, i dyti për nga madhësia në vend.

Punimet për terminalin e ri po ecin me intensitet të lartë, ndërsa synohet që të përfundojnë sa më shpejt.

Drejtori i Portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “shpresojmë që brenda dy muajsh terminali do të jetë në dispozicion të udhëtarëve. Deri tani punimet po ecin me ritme të kënaqshme”.

“Në terminalin e ri do të ketë shtim të shërbimeve, që do të bëjnë të mundur edhe përballimin e fluksit gjatë sezonit të verës. Ky terminal po ndërtohet me një fond prej 250 milionë lekësh. Në krahasim me terminalin e vjetër që kishte një sipërfaqe prej 300 m2, terminali i ri do të ketë 1200 m2 në katin e parë dhe 1000 m2 në katin e dytë”.

Projekti i ri për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve në Portin Detar të Vlorës konsiston në rritjen e cilësisë së shërbimit; në krijimin e një projekti bashkëkohor për shpejtësi në veprime dhe kontrolle; krijimin e një terminali me kapacitet të plotë për çdo periudhë lëvizjesh.

Objekti shtesë në portin ekzistues është parashikuar dy kate me lartësi maksimale prej 7.5 m. Në katin përdhes, në të cilin do të pozicionohet lëvizja e pasagjerëve, do të ketë kryesisht ambiente ndihmëse për udhëtarë. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.