Izrael, Bushati takon kryeministrin Netanyahu: Thellim të bashkëpunimit
Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit u ndalen në çështje të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh, zhvillimet në fushën e sigurisë në lindjen e mesme dhe në rajonin e Ballkanit, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja kibernetike.
Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E hënë, 3 Shtator 2018
TIRANË, 3 shtator /ATSH/ – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një takim me Kryeministrin, njëherësh ministrin e Jashtëm të Izraelit Benjamin Netanyahu.
Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit u ndalën në çështje të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh, zhvillimet në fushën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Ballkanit, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja kibernetike.
Ministri Bushati e njohu Kryeministrin Netanyahu me zhvillimet në rajon dhe me rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti.
Nga ana e tij, Kryeministri Netanyahu vlerësoi qasjen e Shqipërisë ndaj sfidave të sigurisë në rajon dhe më tej, si dhe shprehu interesin e Izraelit për të forcuar më tej bashkëpunimin në këtë fushë.

Ministri Bushati dhe Kryeministri Netanyahu diskutuan gjithashtu për mundësinë e bashkëpunimit në fusha me interes reciprok si inovacioni, ekonomia, arsimi, kultura, etj.
Gjatë vizitës së tij në Izrael, ministri Bushati do të zhvillojë disa takime bilaterale, si me ministrin e Mbrojtjes Avigdor Lieberman, ministrin për Bashkëpunimin Rajonal Tzachi Hanegbi, lideren e opozitës Tzipi Livni, Drejtuesit e Komitetit Amerikano-Hebre (AJC) David Harris dhe Kongresit Botëror të Hebrenjve (WJC) Robert Singer.
/gj.mima/j.p/























