TIRANË, 13 gusht/ATSH/ – Shërbimet sociale në bashkinë e Dibrës kanë mundësuar shtrimin në spital, ekzaminimet si dhe futjen e shtetases me inicialet H.F. në skemën e personave me aftësi të kufizuar (PAK).
Kështu, ditën e kaluar u mblodh grupi multi-disiplinar për menaxhimin e rastit dhe hapat që do të ndiqeshin për zonjën në fjalë, e cila jetonte e vetme dhe në kushte shumë të vështira, e paaftë për t’u kujdesur për veten dhe nuk ishte përfituese në skemën e PAK.
Pas kësaj, u bë i mundur shtrimi i saj në spital për ekzaminime dhe më pas u bë komisionimi i rastit pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social, ku u bë pjesë e skemës së PAK në kategorinë Grup i Parë.
Ndërkaq, për të mundësuar banimin pranë motrës së zonjës, e cila pranoi të kujdesej për të, meqë ajo jetonte në Tiranë u bë transferimi i gjendjes civile të znj. H.F. në kryeqytet. Znj.H. u ndihmua dhe me një paketë ushqimore nga Kryqi i Kuq, dega Dibër.
Rasti u ndoq hap pas hapi nga specialisti i Invaliditetit në Sektorin e Shërbimit Social të bashkisë Dibër dhe administratori social. /e.caushi/






















