Ballina Lajme nga Vendi

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, përparësi e posaçme e Kuvendit

TIRANË, 25 Korrik /ATSH/ -Përmbushja e kërkesave të shqiptarëve të Luginës mbetet një përparësi e posaçme e Kuvendit dhe e Qeverisë së Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti në takim Kryetarin e Partisë Demokratike të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

Gjatë takimit u diskutua mbi situatën në tre komunat me shumicë shqiptare të Luginës dhe shtimin e përpjekjeve e të bashkëpunimit për prosperitetin, mirë-integrimin e shqiptarëve në institucionet e qeverisjes qendrore dhe respektimin e të drejtave të tyre themelore, bazuar në standardet ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendit Ruçi vuri në dukje se përmbushja e kërkesave të shqiptarëve të Luginës mbetet një përparësi e posaçme e Kuvendit dhe e Qeverisë së Shqipërisë. Ai përshëndeti Deklaratën Politike të Aleancës së Komunave shqiptare, të datës 14 korrik, si provë e bashkimit në një zë të faktorit shqiptar të Luginës dhe artikulim i qartë i të drejtave të popullsisë shqiptare në Serbi.

Bashkëbiseduesit vlerësuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit, unifikimin e qëndrimeve e veprimeve midis të gjitha forcave politike shqiptare të Luginës dhe rritjen e pranisë së tyre në të gjithë nivelet e qeverisjes lokale e qendrore, për të shprehur e realizuar interesat e zgjedhësve të tyre. Lufta politike, këshilloi Kryetari i Kuvendit, duhet të ndahet nga përpjekjet dhe të jetë në funksion të të drejtave të shqiptarëve të Luginës.

Ruçi vuri në dukje nevojën e rritjes së bashkëpunimit të forcave politike të Luginës me institucionet e Kosovës. Ai nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbështet dialogun e qytetëruar me institucionet e Serbisë, në mënyrë që shqiptarët e Luginës të përfitojnë plotësisht të drejtat që u takojnë, në përputhje me normat dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht.

/gj.mima/ j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBUDAPEST – Hungaria braktis paktin e OKB-së për migracionin
Artikulli tjetërBERLIN – Maas: Amerika është më e madhe sesa Shtëpia e Bardhë