TIRANË, 23 korrik /ATSH/ – Nuk ka kolapsim të sistemit të Drejtësisë prej mosvotimit të ndryshimeve në ligjin e Magjistraturës, pasi Kushtetuta dhe ligjet e kanë parashikuar këtë.
Kreu i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja në një prononcim për median theksoi sot se, opozita është bërë pishman që votoi reformën në Drejtësi, duke u shprehur se mazhoranca nuk i ka 84 votat për ligjin e Magjistraturës.
“Nuk na pengon asgjë ta shohim njëri-tjetrin në sy në sallën e Parlamentit dhe të komunikojmë drejtpërsëdrejti me opinionin publik për të thënë disa të vërteta për reformën në Drejtësi dhe zbatimin e saj, se kam përshtypjen se procesi i reformës në Drejtësi nuk është kuptuar sa dhe si duhet nga opozita. Teoria e kolapsimit të reformës në sistemin e Drejtësisë nuk është teori juridike. Unë gjykoj dhe me aq informacion sa kam unë nuk jemi në rastin e kolapsit të reformës në Drejtësi, por kolapsim të opozitës”, – tha Manja.
“Që nga dita e parë, të nesërmen e votës për ndryshimet kushtetuese, opozita është bërë pishman për reformën në Drejtësi. Tani na dalin profetë që thonë e kishim parashikuar kolapsin e reformës në Drejtësi. Tani që qytetarët kanë parë rezultatet e para të Vetingut, që është cunami më i madh në sistemin e korruptuar të Drejtësisë nuk ka më asgjë që e ndryshon këtë gjë”, – tha deputeti socialist Manja.
“Qytetarët kishin 27 vite që i thoshin politikës ‘nuk po marrim Drejtësi’. ‘Jo’ thoshte politika. Tani që gjyqtarët po i nënshtrohen Vetingut, opozita duhet të dalë përpara qytetarëve shqiptarë dhe të kërkojë falje se në duart e kujt e ka lënë sistemin e Drejtësisë”, – u shpreh Manja.
Manja tha se KLGJ dhe KLP janë në krijim e sipër. Hapat e Vetingut janë të përcaktuara në Kushtetutë, vijoi ai, duke thënë se kandidatët për KED që u shkarkuan nga Vetingu, do të zëvendësohen me short, siç e përcakton Kushtetuta. /gj.mima/j.p/





















