TIRANË, 20 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ Në kuadër të Programit “100 Fshatra” është e rëndësishme sot që të ecim më shpejt me identifikimin e projekteve më konkrete. Kështu u shpreh sot Koordinatorja Kombëtare e Programit ‘100 fshatra’, Elva Margariti gjatë takimit mes kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të bashkive.
Ndërkohë, tha ajo, “ka filluar një efekt pozitiv. Në fshatra po flitet për programin, ka një optimizëm dhe banorët kanë nisur të bëjnë diçka për shtëpitë e tyre duke kuptuar se ka një prirje të turistëve të huaj për t’u afruar, ka një rritje të vlerës së shtëpive në këto fshatra dhe mbi të gjitha ka një interes shumë të madh nga partnerët e huaj”.
“Ky interes ka sjellë rrjedhimisht dhe një dije, një ekspertizë të huaj e cila nuk ishte parashikuar deri tani, pra po dalin potenciale të reja nga partnerët e huaj dhe lokalë në takime që kemi pasur me biznese lokale që po sjellin nevojën për një ndërveprim akoma më të shpejtë”, tha Margariti.
Kjo, sipas saj, nuk duhet parë si një mbingarkesë e punë që po i kërkohet bashkive.
“Tashmë flasim për projekte konkrete. Kemi filluar të identifikojmë fshatra me potenciale më të shpejta për zhvillim, dhe me to po ecim paralelisht me identifikimin e investimit më të përshtatshëm. Po identifikojmë rrugët, pasi siç e tha dhe z. Kryeministër, nuk është infrastruktura më kryesorja, por do të ndihmojë dhe në nxjerrjen në pah të këtyre potencialeve që kemi evidentuar. Për të ecur përpara me identifikimin e investimeve në rrugë po punojmë me strategjinë e segmenteve të cilat mund të jenë segmente të shkurtra ose pak më të gjata që lidhen me rrugët nacionale dhe kjo bën që në afat të shkurtër disa nga fshatrat me lidhje me rrugët kombëtare të mund të zhvillohen dhe më tepër”, tha Margariti.
“Kemi disa strategji. Nuk punojmë vetëm për fshatin. Strategji tjetër është evidentimi i tematikave që përshkruajnë gjithë territorin. Këto tematika na bëjnë të mundur përfshirjen e disa aktorëve dhe në këtë moment këto tematika shtrihen në më shumë se 20 fshatra. Kemi një prekje që shtrihet përgjatë gjithë territorit dhe një prekje që shtrihet në potencialet konkrete dhe sa më të shpejtë”, tha Margariti. /a.g/























