TIRANË, 18 korrik /ATSH/- Përmirësimi i situatës ekonomike të KESH sh.a gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018 ka sjellë uljen e detyrimeve ndaj të tretëve.
KESH bën të ditur se të ardhurat e realizuara nga shitjet e energjisë elektrike në tregun e parregulluar (eksport) gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018 janë përdorur për vijueshmërinë e aktivitetit minimal operacional të shoqërisë (shpenzime për paga; sigurime shoqërore e shëndetësore; shpenzime për interesa të linjave të overdrafteve) pa realizuar asnjë investim të ri për këtë periudhë të vitit 2018.
Ndërkaq, janë shlyer 100% detyrimet prej 700 milionë lekësh ndaj ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për tarifën koncesionare për energjinë e prodhuar nga PPE&PVE për vitet 2012-2016. Është shlyer edhe detyrimi ndaj PPE&PVE me vlerë rreth 500 milionë lekë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë Nr.239, për shfuqizimin e Vendimeve të ERE nr.143/144, datë 26.12.2014.
Gjithashtu është likuiduar dëmshpërblimi i mbetur ndaj banorëve të Qarkut të Shkodrës të prekur nga përmbytjet e vitit 2010, në zbatim të VKM nr.295, datë 05.04.2017 në vlerën rreth 40 milionë lekë për 6-mujorin e parë 2018 duke shlyer në total 290 nga rreth 330 milionë lekë që ishte vlera e mbetur e detyrimit. e.xh/ j.p/























