PRISHTINË, 7 korrik/ATSH/- Dialogu mes Kosovës me Serbisë në Bruksel është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe si i tillë duhet të rezultojë me arritjen e një marrëveshje, mbështetëse e së cilës do të jetë edhe Finlanda.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për KosovaPress, ambasadorja finlandeze në Kosovë, Pia Stjernvall, e cila thekson se kjo është një nga gjërat më të rëndësishme në të cilën duhet të përqendrohen të dyja vendet.
“Kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ne do ta mbështesim atë. Ka nevojë për shumë përpjekje për ta bërë këtë të ndodhë”, tha Stjernvall.
Ambasadorja e Finlandës tha se Kosova ka bashkëpunim shumë të mirë me shtetin e saj, bashkëpunim ky që vjen duke u zgjeruar.
“Mendoj se kemi marrëdhënie shumë të mira me Kosovën. Ne kemi bashkëpunim në fusha të ndryshme. Për momentin kemi rreth 10 mijë kosovarë, që jetojnë në Finlandë dhe që po e vizitojnë Kosovën, sepse tani me Norwegian Air Flights, kemi gjithnjë e më shumë turistë finlandezë, të cilët me të vërtetë janë të interesuar të vijnë këtu për vizitë”, theksoi Stjernvall.
Ambasadorja Stjernvall ka ardhur në Kosovë në shkurt të këtij viti, por për këtë kohë të shkurtër ka vizituar një numër të madh komunash.
Ajo shprehet se do të vazhdojë të takohet edhe me përfaqësues të komunave të tjera për të parë nga afër gjendjen dhe progresin që po shënojnë këto të fundit.
Sipas saj, Kosova ka shënuar progres dhe mund të ecë vetë përpara, pa pasur nevojë për ndihmë.
“Prandaj ne po punojmë me të rinjtë, sepse shoh se të rinjtë këtu janë të shkëlqyeshëm dhe janë shumë më të etur sesa të rinjtë finlandezë”, bëri të ditur ambasadorja.
Duke folur për klimën ekonomike që Kosova ofron për investitorët, Stjernvall tha se ” ambasada finlandeze në Kosovë ka në fokus të saj krijimin e urave të forta të bashkëpunimit mes bizneseve. Ndërsa ky është viti i parë që vijnë projekte të tilla në drejtim të rritjes së këtij bashkëpunimi, nga i cili pritet shumë”.
Finlanda u bë shteti i 27 që njohu pavarësinë e Kosovës më 7 mars, 2008./k.s/






















