TIRANË, 27 qershor/ATSH/ – Shqipëria dhe Kosova do të bashkëpunojnë për të shkëmbyer eksperiencat në kuadrin e procesit të integrimit evropian.
Një delegacion i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut i kryesuar nga kryetari i komisionit Ulsi Manja, zhvilloi një vizitë dyditore në Kuvendin e Kosovës.
Takimin e parë delegacioni e zhvilloi me anëtarë të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër korrupsionit. Kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu informoi delegacionin mbi punën e komisionit në përmbushje të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe në veçanti mbi disa iniciativa ligjore që ky komision është duke shqyrtuar.
Ulsi Manja, pasi bëri një prezantim të punës së Komisionit për Çështjet Ligjore, u fokusua në prezantimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke i informuar deputetët kosovarë mbi zhvillimet aktuale dhe ato të pritshme në kuadrin e kësaj reforme.
Kryetarët e të dy komisioneve theksuan se është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi dhe shkëmbimi i eksperiencave pozitive. Këtij bashkëpunimi do t’i shërbejë ngritja e grupeve të përbashkëta të punës në nivelin e dy komisioneve, me qëllim identifikimin e nevojave dhe përgatitjen e një strategjie dhe plani të përbashkët veprimi.
Gjithashtu, u ra dakord se është e nevojshme rritja e rolit mbikëqyrës të dy Kuvendeve për të monitoruar zbatimin e marrëveshjeve të përbashkëta të lidhura nga qeveritë e të dy vendeve. Në përfundim të takimit u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi midis dy komisioneve.
Qëllimi i këtij memorandumi është ngritja e nivelit të bashkëpunimit mes dy komisioneve homologe parlamentare, për çështjet e interesit të përbashkët, me theks të veçantë shkëmbimin e përvojave më të mira në luftën kundër korrupsionit dhe reformës në sistemin e drejtësisë.
Delegacioni i Komisionit për Çështjet Ligjore zhvilloi takime dhe me kryetarin e Komisionit për Administratën Publike, Qeverisjen Lokale dhe Mediat, Nait Hasani, dhe me anëtarë të këtij komisioni, si dhe me një grup anëtarësh, të kryesuar nga Mexhide Mjaku – Topalli, të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Në këto takime pjesëmarrësit diskutuan për çështje me interes të përbashkët në fushat përkatëse të përgjegjësisë. Vizita e delegacionit të Komisionit për Çështjet Ligjore u konkludua me një takim me Ministrin e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Abelard Tahiri.
Në këtë takim pjesëmarrësit shkëmbyen përvojat dhe opinionet lidhur me çështje të reformimit të sistemit të drejtësisë në të dy vendet, në veçanti lidhur me vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe me funksionimin e këshillave gjyqësorë dhe prokurorialë./m.m/






















