Ballina Lajme nga Vendi

Foto/Sheshi “Skënderbej”, Veliaj: Çmimi, shpërblim i një pune të madhe që nisi në vitin 2008

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ – Në 3-vjetorin e zgjedhjes në krye të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tërhoqi dje në Barcelonë çmimin e madh për sheshin “Skënderbej”, i cili u përzgjodh nga një juri profesioniste ndërkombëtare, si Hapësira më e bukur Publike e Urbane në Europë për vitin 2018, duke triumfuar mes 279 projekteve nga 32 vende në konkurrim.

Pas vlerësimit që mori në Bienalen e Çikagos para një viti, sheshi “Skënderbej” rrëmbeu çmimin prestigjioz europian për Hapësirën Publike Urbane 2018, i dhënë nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore e Barcelonës dhe gjashtë institucionet europiane më të rëndësishme të arkitekturës dhe dizajnit në Europë. Juria, e kryesuar nga Olga Tarraso dhe me përbërje ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të arkitekturës, vlerësoi sheshin “Skënderbej” si një shesh monumental mahnitës, çlodhës, dhe një nga projektet më emocionues të këtij viti.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ky çmim është shpërblimi më i mirë i një pune të madhe të bërë që nga projektimi, deri te ndërtimi i sheshit të ri “Skënderbej”.

“Nuk besoj se ka bekim dhe shpërblim më të madh të një pune kolosale; punë që filloi me Edi Ramën dhe ekipin e bashkisë së Tiranës në vitet 2000, pastaj në 2008 me konkursin, nisja e punës, mandej shkatërrimi dhe ‘varrosja’ e gjithë asaj pune nga ‘administrata e gjumit’, e në fund rizgjimi me projektin e Rilindjes Urbane, që solli një transformim të madh jo vetëm të sheshit ‘Skënderbej’”, – tha kryebashkiaku Veliaj pas marrjes së çmimit.

Ai theksoi se ky çmim nderon çdo qytetar të Tiranës, që besoi te ndryshimi dhe tregon edhe një herë se kur ka bashkëpunim dhe mirëkuptim, mund të bëhen gjëra shumë të mira, që vlerësohen ndërkombëtarisht.

Gjithashtu, ai nënvizoi se çmimi që mori sheshi “Skënderbej” është një tjetër provë se edhe Teatri i ri Kombëtar, ashtu si çdo projekt tjetër i sulmuar nga opozita, do të jetë një sukses që gjithashtu do të vlerësohet më pas.

Anëtari i jurisë ndërkombëtare, holandezi Hans Ibelings (kritik arkitekture) u shpreh se sheshi “Skënderbej” është një nga projektet më emocionues në kandidaturat e këtij viti. “Është një shesh i pazakontë, monumental, e në të njëjtën kohë thuajse rastësor, informal dhe çlodhës. Është një vend që ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm që prej vitit 1920, kur arkitektët italianë e krijuan si një shesh monumental. Mandej, u kthye në sheshin e regjimit komunist dhe tani, është rikrijuar, rizbuluar, dhe përçon një vizion të ri. Por, çka është më e mrekullueshme, është se pavarësisht shkallës dhe dimensionit të tij monumental, ka një karakter joformal që vizitohet çdo ditë. Pra, është monumental dhe njëkohësisht, i hapur”, – u shpreh anëtari i jurisë, holandezi Ibelings.

Një tjetër anëtar i jurisë, Peter Cachola i Muzeut të Arkitekturës në Frankfurt, theksoi se sheshi “Skënderbej” ofron ndërthurje të një hapësire të madhe publike me hapësira më të vogla intime, siç janë oazet me lulishte përreth tij. “Sheshi ‘Skënderbej’ në Tiranë është i rëndësishëm, sepse tregon se si ende mund të ndërtojmë hapësira publike, të dimensioneve të mëdha, por jo monumentale; madhështore, por në të njëjtën kohë, edhe njerëzore, që ofrojnë intimitet. E vlerësojmë si një projekt mahnitës, tronditës dhe shumë të guximshëm, prandaj i japim çmimin fitues”, – tha ai.

Matevz Celik nga Muzeu i Arkitekturës dhe Dizajnit në Ljubljanë veçoi elementin kombëtar dhe kreativ të sheshit “Skënderbej”. “Është gjithashtu, një vend i identitetit kombëtar. Por, është një vend i identitetit kombëtar, i çliruar nga çdo ideologji, shumë i freskët, shumë kreativ dhe vërtet një vend që ka sjellë një frymë të re në qytetin e Tiranës, një atmosferë të re, të ndriçuar dhe e orientuar nga e ardhmja”, – tha Celik.

Çmimi Europian për Hapësirën Publike Urbane është një çmim i cili jepet çdo dy vjet nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore e Barcelonës dhe gjashtë institucionet europiane, me qëllim për të njohur dhe për të inkurajuar projektet e rimëkëmbjes dhe mbrojtjen e hapësirës publike në qytetet tona.

Çmimi, i krijuar në vitin 2000, këtë vit festoi edicionin e tij të dhjetë. Juria Ndërkombëtare e Çmimit Urban të Hapësirës Europiane përzgjodhi 25 punime si finaliste, në mesin e 279 projekteve nga 32 vende evropiane. Çmimi Europian për Hapësirën Publike Urbane organizohet nga Qendra për Kulturë Bashkëkohore të Barcelonës (ÇCB) dhe partnerët: Muzeu Gjerman i Arkitekturës (Frankfurt); Muzeu i Arkitekturës Finlandeze (Helsinki); Muzeu i Arkitekturës dhe Dizajnit (Lubjanë); Fondacioni i Arkitekturës (Londër); Qyteti i Arkitekturës dhe Trashëgimisë (Paris) dhe Qendra e Vjenës e Arkitekturës (Vjenë). /z.tosku/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVasili: Ruçi i hoqi të drejtën opozitës që të flasë
Artikulli tjetërGJERMANI – Shërbimet sekrete paralajmërojnë për sulme kibernetike