Ballina Lajme nga Vendi

Çerdhe e re në Berat për fëmijët romë

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ 60 fëmijë të qytetit të Beratit, një pjesë e mirë e të cilëve i përkasin komunitetit rom dhe atij egjiptian nga sot kanë mundësi të ndjekin arsimin parashkollor në kushte dinjitoze, pas rindërtimit të çerdhes numër 7 në lagjen “Donika Kastrioti” në këtë qytet.

Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ditmir Bushati, ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, deputetë, përfaqësues të PNUD-it, përfaqësues të institucioneve vendore, prindër të fëmijëve, etj.

“Krijimi i mundësive për përshirjen e fëmijëve romë dhe egjiptianë sa më herët në ciklin e edukimit është mënyra më e mirë për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian, ndaj jam shumë e kënaqur që jam pjesë e këtij aktiviteti të veçantë këtu në Berat, në këto ambiente krejtësisht të rinovuara, që do t’u mundësojnë 60 fëmijëve, mes të cilëve një pjesë e mirë të komunitetit rom dhe egjiptian, të ndjekin arsimimin e hershëm në kushte dinjitoze. Dhe modele të tilla duhet të replikohen në të gjithë vendin”, – tha Manastirliu në fjalën e hapjes.

Investimi prej 12 milionë lekë në çerdhen numër 7 në Berat është pjesë e projektit “ESERE” të qeverisë shqiptare me financimin e Bashkimit Europian.

Ky nuk është investimi i parë i Projektit “Fuqizimi ekonomik dhe social për romët dhe egjiptianët – shtysë për përfshirjen sociale”. Katër bashki janë pjesë e projektit, që ka për synim përfshirjen sociale të komunitetit rom dhe egjiptian. Rreth 1200 romë dhe egjiptianë jetojnë sot në kushte dinjitoze, falë ndërhyrjeve në infrastrukturë të mbështetura nga ky projekt në Tiranë, Berat, Durrës dhe Shkodër. /z.tosku//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakReforma për Diasporën, Majko: Strukturë për zbatim sa më efikas të ligjit
Artikulli tjetërGJERMANI – Merkel: Berlini do t’i ofrojë ndihmë financiare vendeve të BE-së që marrin pas migrantët