Reforma për Diasporën, Majko: Strukturë për zbatim sa më efikas të ligjit

TIRANË, 18 mars /ATSH/ “Reforma për diasporën” ishte tema e takimit të parë të Komitetit Shtetëror për Diasporën, i mbajtur të hënën në ambientet e Kryeministrisë.
Misioni i Komitetit të drejtuar nga Kryeministri, e që ka në përbërje ministrat kryesorë, është përgatitja e linjave orientuese për politikat e reja në fushën e diasporës, propozimi i mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve jashtë vendit, nxitja e dialogut dhe koordinimit për zbatimin e strategjisë etj.

Në mbledhjen e parë të Komitetit ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe gjithashtu anëtarët e tjerë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni, ministri i Turizmit Blendi Klosi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko, etj.

Përpara anëtarëve të Komitetit, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko prezantoi të gjithë reformën legjislative të realizuar deri më tani në fushën e diasporës, Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Diasporën, programin lidhur me Samitin e Dytë të Diasporës që pritet të mbahet në nëntor, propozimet mbi të drejtën e votës për shtetasit jashtë vendit dhe gjithashtu pasqyrën financiare të vizitave të ministrit të Shtetit për Diasporën.

Ndërsa e vuri theksin te rëndësia e një strategjie të qartë për diasporën, ministri Majko tha se nevojitet një strukturë e cila do t’ju imponohet institucioneve në mënyrë që zbatimi të jetë sa më efikas.

“Jemi në fundin e fazës së parë të reformës për diasporën, gjithçka e kemi të strukturuar me ligj”, – tha z. Majko.

Ai u ndal gjithashtu tek problematikat më urgjente për zgjidhje si regjistrimi, kurikula mësimore, struktura e shpërndarjes së librave për nxënësit jashtë vendit etj. /m.z//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.