Ballina Aktualitet

Garantimi i ushtrimit të vullnetit të lirë përmes votës, domosdoshmëri në çdo kohë.

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ – Garantimi i ushtrimit të vullnetit të lirë përmes votës është domosdoshmëri në çdo kohë.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri zhvilloi një leksion të hapur me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Zguri u prit nga Rektori i Universitetit, Skënder Topi, i cili shprehu mirënjohjen për gatishmërinë që pati Kryetari i KQZ-së për të bashkëbiseduar më studentët e universitetit që drejton, të cilët në zgjedhjet e ardhshme do të jenë edhe votues për herë të parë.

Pjesëmarrës në leksion ishin Dekania e Fakultetit të Ekonomisë, Imelda Sejdini, pedagogë dhe studentë të fakulteteve të Ekonomisë dhe të Drejtësisë.

Në fokus të bashkëbisedimit ishte njohja e studentëve me aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor, mënyrën se si funksionon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rëndësia e votës së lirë dhe të pandikuar dhe veprat penale që cënojnë zgjedhjet demokratike.

Kryetari i KQZ-së u shpreh se pavarësisht se aktualisht jemi pothuaj një vit pas zgjedhjeve për Kuvendin dhe një vit përpara zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, puna e KQZ-së vijon dhe është e përqëndruar në mënyrë specifike në ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë dhe vlerën që ka vota e çdo zgjedhësi.

Kryetari i KQZ-së u tha studentëve se garantimi i ushtrimit të vullnetit të lirë për të votuar mbetet në çdo kohë domosdoshmëri, përpjekje kjo e cila është përforcuar edhe me ndryshimet ligjore në Kodin Penal. “Ndryshimet e bëra në Kodin Penal para zgjedhjeve të vitit 2017, i dhanë një dimension tjetër të vlerës së votës, pasi dënimet për veprimet e kundraligjshme që cënojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë ashpërsuar, çka ndikon në uljen e numrit e shkeljeve ligjore nga komisionerët por edhe nga zgjedhësit”.

Bashkëbisedimi interaktiv mes studentëve, pedagogëve dhe Kryetarit të KQZ-së i shërbeu njohjes nga ana e studentëve e procedurave të votimit, rëndësisë së votës dhe aspekteve të ndryshme që lidhen me procesin e zgjedhjeve.

Gjithashtu, KQZ zhvilloi sesion edukimi edhe me nxënësit e Shkollës së Mesme të Përgjithshme në Belsh. Nxënësit u njohën me institucionin e KQZ-së dhe u bënë pjesë e simulimit të procesit të votimit.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPEKIN – Putin: Presim normalizim të marrëdhënieve me BE dhe SHBA
Artikulli tjetërVeting për ish-kryeprokurorin Lalla, KPA vendos më 11 qershor