Fund emërimeve politike në arsim, zv.ministrja Shahini tregon për ATSH për nismën më të re
Fund emërimeve politike në arsim, zv.ministrja Shahini tregon për ATSH për nismën më të rehttps://ata.gov.al/2018/06/03/fund-emerimeve-politike-ne-arsim-zv-ministrja-shahini-tregon-per-atsh-per-nismen-me-te-re/Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini sqaroi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se ngritja e këtij institucioni do t'i shërbejë krijimit të një modeli të ri, larg influencës së politikës. Ajo tha se shkolla është themeluar bashkë me Fondin Amerikano-Shqiptar për Zhvillim dhe janë duke u ndërtuar kurrikulat dhe e gjithë infrastruktura e nevojshme, për të shpresuar që kjo e fundit të nisë funksionimin në vjeshtë.
Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 03.06.2018
TIRANË, 3 qershor/ATSH/ – Në vjeshtë do të nisë nga funksioni edhe shkolla nëpër të cilën do kalojnë të gjithë ata që duan të konkurrojnë për drejtorë shkollash, duke i dhënë fund edhe emërimeve politike, apo ndërhyrjeve të ndryshme në arsim.
Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini sqaroi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se ngritja e këtij institucioni do t’i shërbejë krijimit të një modeli të ri, larg influencës së politikës.
Ajo tha se shkolla është themeluar bashkë me Fondin Amerikano-Shqiptar për Zhvillim dhe janë duke u ndërtuar kurrikulat dhe e gjithë infrastruktura e nevojshme, për të shpresuar që kjo e fundit të nisë funksionimin në vjeshtë.
“Ideja është që mësuesit më të mirë të kenë mundësi që të marrin këtë kursin për menaxhim shkolle, sepse është tjetër gjë pjesa akademike që secili mësues duhet ta ketë dhe tjetër gjë menaxhimi i një shkolle. Nëse këta e marrin këtë trajnim, mund të garojnë për drejtor. Në këtë moment, kushdo mësues që ka ambicie të bëhet drejtor duhet të vazhdojë studimin në këtë shkollë dhe do të mund të konkurrojë për drejtor”, – shpjegon Shahini për ATSH.
Por, Shahini shpjegoi po ashtu se jo domosdoshmërisht drejtorët ekzistues do të futen të gjithë në këtë institucion, për shkak se sivjet kapaciteti do të jetë i limituar, ndërsa numri aktual i drejtorëve është i lartë. Megjithëse, Shahini tha se është në proces diskutimi lidhur me numrin e moduleve që do të aplikohen gjatë vitit të parë të funksionimit të shkollës.
“Drejtorët ekzistues jo domosdoshmëri do të futën në shkollë, sepse shkolla themelohet sivjet dhe do të ketë kapacitet të limituar. Aktualisht kemi shumë drejtorë në sistem dhe për disa vite nuk do të ketë më drejtorë nëpër shkolla që nuk kanë kaluar nëpër ketë trajnim dhe nuk i kanë marrë bazat e menaxhimit të shkollës, në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu siç po shpresojmë ta ndërtojmë tek ky institucion”, – përfundoi zv.ministrja e Arsimit për ATSH.
/z.tosku//a.fortuzi//r.e/






















