Luleshtrydhja… “prodhon” dhe bukën

Luleshtrydhja… "prodhon" dhe bukën

Luleshtrydhja… "prodhon" dhe bukën https://ata.gov.al/2018/06/03/luleshtrydhja-prodhon-dhe-buken/Luleshtrydhja e përdorur në pastiçeri vjen përmes akullores, apo pastave dhe ëmbëlsirave të ndryshme, po ashtu një risi është dhe zënia e bukës me luleshtrydhe.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 03.06.2018

TIRANË, 3 qershor/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Luleshtrydhja, mbretëresha e frutave që zgjat jetën e trurit, zemrës dhe lëkurës ka gjetur përdorim të madh edhe në sektorin e përpunimit dhe ku më mirë se në pastiçeri.

Ngjyra e kuqe, aroma e mrekullueshme dhe shija e veçantë bëjnë që luleshtrydhet të jenë frutat më të pëlqyera jo vetëm të fëmijëve, por edhe e të rriturve. Në mjekësinë popullore luleshtrydhja është ilaçi që mund të shërojë më shumë sëmundje dhe të përdoret kudo. Ato mbahen si një nga ushqimet me përmbajtje më të lartë të vitaminës C. Po ashtu luleshtrydhja ka dhe vlera të larta mjekësore duke veçuar këtu vetinë e saj të madhe antioksiduese. Mendohet se sa më shumë të skuqet fruti, aq më shumë atij i rriten vlerat antioksiduese.

Luleshtrydhja e përdorur në pastiçeri vjen përmes akullores, apo pastave dhe ëmbëlsirave të ndryshme, po ashtu një risi është dhe zënia e bukës me luleshtrydhe.

Petro Kula, pronar i një pastiçerie në zonën e Fierit, më konkretisht në Roskovec, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare bëri të ditur se, luleshtrydhja është një nga përbërësit bazë të shumë ëmbëlsirave që ai ofron, teksa nënvizoi se me luleshtrydhe ai prodhon dhe bukë.

Luleshtrydhja është një produkt që mund të përdoret në të gjitha llojet e produkteve, veçanërisht në akullore dhe pastiçeri. Ne përpiqemi që produktet e zonës së Fierit, fshatrave përreth tij, t’i përdorim për të prodhuar ëmbëlsirat tona. Produktet bujqësore të zonës sonë, janë të shëndetshme dhe pa konservantë. Ne kemi 40 të punësuar, kemi nisur me shumë më pak, dhe përpiqemi ta zhvillojmë sipërmarrjen me produkte sa më të shëndetshme dhe “bio”. Ne përpunojmë edhe bukën. Marrin nga fermeri grurin dhe e përpunojmë, kjo procedurë shkon 24 orë dhe është bukë me luleshtrydhe. Pëlqehet shumë nga konsumatori”, – tha Kula.

Rudina Hajdëri, një nga punonjëset e pastiçerisë, tha për ATSH, se kishte 20 vite që punonte te kjo pastiçeri. “Kam 20 vite që merrem me këtë punë. Eksperiencën e kam fituar në Greqi dhe tani jam këtu ku punoj prej dy dekadash. Fillimisht ishim dy vetë nga familja jonë që punonim këtu, tani jemi gati e gjithë familja e angazhuar te kjo pastiçeri. Produktet tona bazohen më së shumti te luleshtrydhja, një produkt tradicional i zonës”, – tha Hajdëri.

Në Shqipëri, zona e Fierit dhe veçanërisht fshati Frakull njihet për prodhimin e luleshtrydhes.  80% e luleshtrydheve në vend prodhohen pikërisht në këtë zonë. Luleshtrydhja shqiptare ka gjetur tregje edhe në Europë, madje ka kaluar dhe në Azi. Banorët e zonës e cilësojnë luleshtrydhen si “arin e kuq” për vlerat ushqyese, por edhe ekonomike që ofron për zonën e Fierit. Pikat e grumbullimit e shpërndajnë këtë produkt, jo vetëm në Tiranë, si treg primar, por edhe jashtë vendit, duke nisur nga fqinjët tanë, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, por dhe përtej në Europë dhe jashtë saj, deri në Azerbajxhan.

Në zonën e Frakullës kultivohen mbi 90 ha serra vetëm me luleshtrydhe. Mbjelljet e hershme të fidanëve fillojnë nga data 20 shtator, deri 15 tetor dhe ato të vona nga data 25 tetor, deri më 5 nëntor. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.