TIRANE, 2 qershor/ATSH/- Në prezantimin e projekteve të reja për qarkun e Elbasanit, zv.ministri i Arsimit Ervin Demo u ndal në investimet në arsim dhe impaktin real që kanë patur këto projekte.
Në të gjithë qarkun, tha ai kemi patur 19 projekte të cilat janë mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe në mënyrë direkte janë prekur rreth 8 mijë nxënës, përsa i përket jo vetëm cilësisë së procesit mësimor në shkollat e reja, por edhe në ambientet e reja sportive.
“Vetëm në bashkinë e Librazhdit, ne kemi 6 projekte në tre vitet e fundit, ku janë 700 nxënës të cilët kanë përfituar. Në bashkinë e Elbasanit janë tre projekte madhore, ku rreth 5 mijë nxënës kanë përfituar në mënyrë direkte”, – tha Demo, ku veçoi ndërtimin e 4 mjediseve sportive në shkollat e qytetit, si në shkollën “Naim Frashëri”, “Sulë Harri”, “Abdyl Paralloi” dhe “Adem Krasniqi” që janë qendra komunitare.
Ndërsa në bashkinë Përrenjas, tha ai, janë tre projekte që janë mbështetur nga qeveria, në bashkinë Gramsh 2 projekte, Cërriku me 2 projekte dhe në bashkinë Blesh është rikonstruktuar shkolla ku janë 450 nxënës që studiojnë në këtë shkollë dhe jam i bindur që komuniteti e ka ndjerë impaktin që kjo shkollë ka ofruar, përsa i përket asaj çfarë ne kemi realizuar nëpërmjet këtij projekti.
Gjithashtu, Demo tha se edhe përgjatë këtij viti, janë 9 projekte të reja për gjithë qarkun, duke filluar nga bashkia Elbasan ku do të rikonstruktohet një shkollë, dy ndërhyrje në bashkinë Përrenjas përsa i përket ndërhyrjeve për stabilizimin e infrastrukturës së një shkolle dhe aq më tepër ndërtimin e fushave të sportit, ku do të përfitojnë rreth 1200 nxënës.
Në bashkinë Peqin, po rikonstruktohet një shkollë dhe gjatë vitit 2018 do t’i nënshtrohet rikonstruksionit edhe një tjetër shkollë.
Zv.ministri tha se edhe në bashkinë Librazhd janë dy projekte, ku janë rreth 400 nxënës që do të përfitojnë nga këto projekte sikurse edhe një projekt në bashkinë Gramsh.
Ai tha se Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit është e fokusuar e do të mbështesë dhe të sigurojë mobilitetin social, përsa i përket të rinjve të këtij qarku, jo vetëm gjatë kohës që janë në sistemin parauniversitar, por edhe gjatë kohës që ata shkojnë në sistemin universitar.
“Ne kemi 300 bursa për studentët e këtij qarku dhe për të garantuar lehtësimin e aksesit të të rinjve në sistemin arsimor, ne mbështesim transportin e nxënësve dhe mësuesve për 4550 nxënës, 1445 mësues për arsimin bazë dhe 428 për arsimin e mesëm”, – theksoi Demo.
Përsa i përket problematikës së klasave kolektive, Demo tha se “në këtë qark kemi mbështetur rreth 1 mijë nxënës që janë në klasa kolektive, të cilët kanë përfituar nga programi lexim dhe shkrim. Gjithashtu jemi duke punuar fort që brenda këtij viti ne të realizojmë politikën e qendërzimit të shkollave, ku ne mund të bëjmë një riorganizim të shkollave, në mënyrë që të mos kemi nxënës të cilët rrijnë në klasa kolektive dhe nuk marrin atë shërbim që ata duhet të marrin”.
Të tjera projekte të suksesshme ka patur në qarkun e Elbasanit, tha ai u pilotua edhe programi “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, ku kanë marrë pjesë 4 shkolla dhe efekti i tyre ka qënë i rëndësishëm.
Në portalin “Mësues për Shqipërinë”, ne kemi 826 mësues të cilët kanë konkurruar në bazë të meritokracisë për vendet e lira pune.
Ndërsa përsa i përket Platformës së Bashkëqeverisjes, Demo tha se “kemi patur 65 kërkesa ankesa, por edhe disa sugjerime lidhur me problematikat që hasin qytetarët në nivel qarku. Ai tha se 6 prej tyre kanë marrë përgjigje përfundimtare ndërsa 95% e ankesave kanë marrë përgjigje pozitive. /a.g/













