TIRANË, 18 maj /ATSH/- Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) në bashkëpunim me dy ekspertët e njohur gjerman pjesë e TAIEX (Instrumenti për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim Informacioni i Komisioni Europian), zhvilluan një “workshop”, dy ditor me temë “Përmirësimin e Shërbimeve Aeroportuale, Rritja e Nivelit të Koordinimit të Sloteve dhe Liberalizimi i Shërbimeve në Tokë”, në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza.
Ekspertët gjerman Dieter Wilken inxhinier i cili trajton kërkimet për transportin dhe trafikun me mbi 40 vjet eksperiencë në këtë fushë, si dhe Dr. Sven Maertens, prezantuan mënyrat si operojnë aeroportet në Bashkimin Europian, dhe rrugët që mund të ndiqen në rastin e Shqipërisë, për të përmirësuar shërbimet aeroportuale, por edhe për të rritur nivelin e koordinimit të sloteve dhe atë operacional të aeroportit.
Drejtori i AAC Krislen Keri, tha se për autoritetin është me shumë rëndësi rritja e cilësisë së shërbimeve aeroportuale, duke filluar me rritjen e nivelit të koordinimit të sloteve dhe shërbimeve në tokë.
Duke patur parasysh këtë objektiv, Keri tha se AAC në bashkëpunim me grupet e interesit ka filluar nga puna për të përgatitur terrenin me qëllim rritjen e nivelin e koordinimi të sloteve, nga niveli 1 që është aktualisht në nivelin 3. Sipas Kerit, aktualisht duhet zgjidhur problemi i sloteve, sidomos gjatë sezonit të pikut, dhe për këtë arsye rritja e nivelin të koordinimit të sloteve, do t’i shërbejë zgjidhjes dhe funksionimit më të mirë të shërbimeve aeroportuale.
Një tjetër sugjerim nga ana e ekspertëve kishte të bënte me liberalizimin e shërbimeve në tokë, duke parë rritjen e numrit të pasagjereve. Në këtë takim përveç përfaqësuesve nga AAC, morën pjesë edhe përfaqësues të disa kompanive ajrore që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza. e.xh/ /a.g/
































