Kompensimi i TVSH për prodhuesit bujqësorë, kushtet e përfitimit

TIRANË 15 maj/ATSH/- Drejtoria e Tatimeve publikoi kushtet e përfitimit nga skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Sipas DPT-së, përfiton të drejtën e kompensimit për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, fermeri për aq kohë sa qarkullimi vjetor nuk tejkalon kufirin minimal të përcaktuar të regjistrimit për TVSH-në, për fermerët individual ose pa limit nëse e ushtron veprimtarinë e vetë i përfshirë në shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.

Po ashtu, nëse furnizojnë mallra me prejardhje nga puna e tyre e kryer për aktivitetet prodhuese bujqësore të përcaktuara sipas këtij udhëzimi.

Për të përfituar fermeri duhet të pajiset me një numër identifikimi (NIPT), lëshuar nga drejtoria rajonale tatimore ku ushtron aktivitetin, por pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim.

Drejtoria Rajonale Tatimore, pasi kryen verifikimet përkatëse dhe vëren përmbushjen korrekte të kushteve për regjistrim, kryen regjistrimin e fermerit në regjistrin tatimor duke evidentuar dukshëm në faqen e regjistrimit faktin që i regjistruari është “fermer” dhe lëshon certifikatën e regjistrimit (NIPT-in) brenda një afati prej dy ditësh nga data e paraqitjes së aplikimit.

Ky regjistrim dhe certifikata e NIPT-it lëshuar fermerit është e vlefshme vetëm për qëllime të përfitimit nga skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë sipas këtij ligji. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.