Ballina Lajme nga Vendi

Rindërtim i aksit Tiranë-Plepa

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Njësia administrative Pezë ka qenë ndalesa e radhës e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj gjatë turit të dëgjesave për bashkëqeverisjen me njerëzit.

Në takimin me banorë të kësaj njësie, kryebashkiaku Veliaj i shoqëruar dhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manasterliu dhe Kryetarja e PS për Tiranën, Blerina Gjylameti, deklaroi se në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar kanë nisur bisedimet për rindërtimin e aksit Tiranë-Plepa që do t’i jepte kryeqytetit një hyrje të re, por njëkohësisht edhe një impuls të ri zhvillimit ekonomik të gjithë zonave ku kalon.

“Bashkë me ARRSH-në po gjejmë një fond për rrugën kombëtare Tiranë-Ndroq. Po të kemi të njëjtën frymë bashkëpunimi, siç kemi pasur në këto tre investime kryesore, do të ecim akoma më shpejt”, – tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se Njësia administrative e Pezës ka qenë dëshmitare e një numri investimesh, të cilat do të shtrihen në të gjitha lagjet e saj, teksa shtoi se transformimi ka prekur edhe fshatrat e njësisë.

Veliaj theksoi se Partia Socialiste i kushton një vëmendje të posaçme demokracisë dhe se koha kur jepet llogari para popullit vetëm një herë në 4 vjet kur voton, ka marrë fund.

“Ne kemi një parti që llogaridhënien nuk e trajton si një sport një herë në katër vjet, por si diçka që duhet të bëhet përditë”, – tha ai. Në bashkëbisedimin me banorët e Njësisë administrative Pezë, kryebashkiaku Veliaj i inkurajoi që të gjitha shqetësimet e tyre t’i shprehin nëpërmjet portalit për bashkëqeverisjen, ku do të marrin vëmendjen e duhur. /e.malaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKompensimi i TVSH për prodhuesit bujqësorë, kushtet e përfitimit
Artikulli tjetërMickey dhe Minni, 90 vjet më parë shfaqja e tyre e parë në një film të shkurtër