PRISHTINË, 11 Maj/ATSH/.- Kosova është e gatshme që të mbyll kapitullin e konflikteve me Serbinë dhe të hapë atë të paqes, deklaroi sot Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një bisede telefonike me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov.
“Vetëm pak ditë përpara mbajtjes së Samitit të përbashkët historik të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, sot përsëri zhvillova një bisedë miqësore telefonike me mikpritësin e këtij Samiti, Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, shtet ky që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Europian”, shkruan Thaçi në Facebook.
“Së bashku, diskutuam sërish për rëndësinë dhe mundësinë e madhe që ofron ky Samit për të qartësuar rrugën europiane për Kosovën dhe të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor. Kushti kryesor për anëtarësim në BE, përveç plotësimit të kritereve të Kopenhagës, sigurisht që është mbyllja e çështjeve të hapura ndërmjet të gjitha shteteve në rajonin tonë, të cilat janë të përcaktuara për t’u anëtarësuar në BE”, nënvizoi Thaçi.
Kreu i shtetit të Kosovës theksoi gjithashtu se “Për Kosovën dhe Serbinë, mbetet jetike arritja e marrëveshjes detyruese ligjore për normalizim dhe pajtim. Këtë frymë të paqes dhe të bashkëpunimit, unë do ta përcjell në emër të qytetarëve tanë edhe në Samitin e Sofjes, sepse ne jemi europianë dhe sjelljet tona duhet të jenë të tilla. Ky ishte mesazhi im kryesor për mikun tim Boyko, i cili meriton respekt dhe konsideratë të lartë për organizimin e këtij Samiti”./k.s/






















