Hoxha: Lëvizja pa viza deri në fund të vitit

PRISHTINË, 5 Maj/ATSH/.- Ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, është optimiste se qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm pa viza deri në fund të vitit 2018-të.

Në një intervistë për KosovaPress, Hoxhaj ka folur për takimin që për dy ditë me radhë patën me delegacionin vlerësues të BE-së, për kriterin e fundit për procesin e liberalizimit të vizave, ku tha se presin një vlerësim pozitiv nga Komisioni Europian.

“Kemi pasur edhe takime përgatitore që Kosova, të gjitha institucionet ligjzbatuese të dalin sa më mirë, jo t’i zbukurojmë gjërat, por të themi të vërtetën, vetëm në bazë të punës, fakteve dhe argumenteve. Deri tani ne kemi parë se ka pasur një qasje shumë pozitive, objektive patjetër, por unë jam optimiste që do të marrim një vlerësim pozitiv. Të presim deri në fillim të qershorit, por gjithashtu jam shumë optimiste gjithmonë duke u bazuar në këtë proces të vendimmarrjes, deri nga fundi i vitit, besoj që qytetarët tanë do të lëvizin të lirë pa viza”, tha ajo.

Hoxha theksoi se institucionet kanë bërë një punë të madhe në luftimin e krimit dhe korrupsionit, në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave dhe se lufta kundër këtyre dukurive do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Tani topi është tek institucionet e BE-së dhe varet çfarë dinamike ata do të marrin në procesin e vendimmarrjes”, u shpreh Hoxha.

Sipas saj, institucioneve u duhet një dinamikë e re me qëllim të përshpejtimit të implementimit të MSA-së, që është një marrëveshje shumë e rëndësishme për Kosovën, për të përparuar pozitën drejtë statusit të kandidatit.

“Plani është që deri në vitin 2020, Kosova të bëhet vend kandidat dhe të bëjmë çmos që të fillojmë dhe ne negociatat, sepse ndryshe nuk mund ta zëmë hapin me vendet e rajonit. Shfrytëzoj rastin dhe ta përsëris atë që kam thënë shumë kohë më parë, se është koha e fundit që na nevojitet një konsensus kombëtar me të gjitha partitë politike, me të gjitha institucionet. Pra dhe një komunikim më i mirë, një bashkëpunim ende më i mirë mes  qeverisë, gjyqësorit, prokurorisë, kuvendit, të gjitha institucioneve të tjera, qofshin ato pjesë e legjislativit, ekzekutivit apo gjyqësorit, që të kemi një bashkëpunim sa më të mirë, që axhenda e integrimit europian, të mos qëndroj në vend”, nënvizoi Hoxha.

Ministrja Hoxha u shpreh se “kemi parë se disa nga vështirësitë janë në sektorin e arsimit, në sektorin e reformës së administratës publike, pastaj ndërlidhja e arsimit apo kurrikulave me tregun e punës. Aftësi profesionale që na nevojiten. Konkurrueshmëria e kompanive tona, produkteve tona në tregjet e ndryshme. Ka  shumë vështirësi të tjera, patjetër që ne duhet në vazhdimësi të fuqizojmë sundimin e ligjit”.

Ajo shtoi se duhet të ecim në reformat në sundimin e ligjit.

Hoxha në fund tha se të gjitha këto janë punë që duhen bërë nëse kemi konsensus./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.