Ballina Uncategorized

BRUKSEL – OKB-ja paralajmëron kundër një shkatërrimi humanitar në Idleb

BRUKSEL, 24 prill /ATSH-AFP/ – I dërguari special i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura paralajmëroi sot kundër një shkatërrimi humanitar në Idleb, në veriperëndim të Sirisë.

“Ishim dhe jemi të shqetësuar për çështjet humanitare në Idleb. Sepse Idlebi është sfida e re më e madhe, 2,5 milionë persona”, theksoi Mistura në një konferencë të përbashkët shtypi me përfaqësuesen e diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

“Natyrisht, nuk mund të besojmë se ata janë të gjithë terroristë. Ka gra, fëmijë, civilë”, nënvizoi zyrtari i OKB-së, në një konferencë ndërkombëtare të donatorëve për të ardhmen e Sirisë në Bruksel.

Provinca e Idlebit, në kufi me Turqinë, ku jetojnë më shumë se 2,5 milionë persona, mes të cilëve shumë të zhvendosur kontrollohet pjesërisht nga grupi xhihadist Hayat Tahrir al-Cham, ku predominon ish-dega siriane e Al-Kaedas.

Shumë rebelë dhe familjet e tyre, evakuar së fundi nga xhepi kryengritës në Gutan Lindore, në portat e Damaskut, janë larguar nga kjo provincë.

Mistura theksoi se shpresonte që Idlebi të mos bëhej një Alepo tjetër, një Guta Lindore tjetër, sepse dimensionet janë krejtësisht të ndryshme nga fakti i përmasës së kësaj province.

Konferenca e donatorëve në Bruksel ka gjithashtu për objektiv të inkurajojë rifillimin e negociatave politike në Gjenevë të zhvilluara nën kujdesin e OKB-së.

Mogherini dhe i dërguari i OKB-së i kërkuan Rusisë, Iranit dhe Turqisë, të përfshirë përkrah tyre në procesin e bisedimeve të Astanas, të bëjnë më shumë për të arritur në një armëpushim në Siri.

“Mesazhi kryesor është që Siria nuk është një lojë shahu, nuk është një lojë gjeopolitike”, theksoi Mogherini.

Nisur në vitin 2011, me represionin nga regjimi të manifestimeve paqësore, konflikti në Siri ka shkaktuar më shumë se 350 000 të vdekur dhe miliona të zhvendosur dhe refugjatë./
/ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVlora, në Kongresin e Katërt Europian të Autoriteteve Vendore në Poloni
Artikulli tjetërSPORT- Bayern shpreson në rikuperimin e Alaba në ndeshjen kundër Realit