Ballina Aktualitet

Berati, qarku me nivelin më të ulët të kriminalitetit në vend

TIRANË, 23 prill /ATSH – Maela Marini/- Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj vlerësoi sot statistikat që tregojnë nivelin e ulët të kriminalitetit në qarkun e Beratit, duke shtuar se “nëse do të kishte një çmim për sigurinë publike, ai i takon këtij qarku”.

Në takimin e Këshillit të Sigurisë Publike në Berat, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u shpreh i surprizuar nga statistikat e kriminalitetit në këtë qark.

“Nëse sot do të kisha mundësinë të jepja një çmim në shkallë vendi për çështjet e rendit dhe sigurisë, jemi në një mendje me drejtorin e Përgjithshëm, që në Republikën e Shqipërisë, çmimi i parë do t’i jepej qarkut të Beratit”, tha Xhafaj.

Rezultatet janë shumë pozitive dhe kontributi i parë i takon qytetarisë tuaj, tha Xhafaj, duke iu drejtuar qytetarëve që banojnë në këtë qark.

Po ashtu, ai vlerësoi pozitivisht edhe punën e organeve të policisë në Qarkun e Beratit.

Duke iu referuar mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Publike, Xhafaj tha se “ky është një proces dialogimi për çështjet e rendit dhe sigurisë, por është edhe një proces transparence dhe llogaridhënie sepse policia mbahet nga taksat e qytetarëve”.

“Ky është qëllimi i këtij procesi dhe i këtyre forumeve qytetare që janë hapi i parë nga pikëpamja e ndërtimit të një marrëdhënie të re ndërmjet policisë, organeve të qeverisjes vendore dhe komunitetit”, – tha Xhafaj.

Ministri i Brendshëm premtoi se “ky është një projekt që do të vazhdojë, si një mënyrë për të dhënë llogari dhe për t’u angazhuar se çfarë mund të bëjmë më tepër”.

Ministri garantoi se në vijim të kësaj linje do të ngrihen këshillat e sigurisë vendore. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPORT- Skenat me autobusin e City-t, të mos përsëriten ndaj Romës
Artikulli tjetërThaçi në Holandë: Kosova është një rrëfim suksesi