SPORT- Skenat me autobusin e City-t, të mos përsëriten ndaj Romës

TIRANË, 23 prill/ATSH-AFP/ – Në prag të ndeshjes me ekipin e Romës në Ligën e Kampioneve, trajneri i ekipit të Liverpool, Jurgen Klopp ka paralajmëruar fansat e ekipit që të mos përsërisin skenat e dhunshme, siç ishin ato ndaj autobusit të Manchester City, ku në drejtim të tij u hodhën shishe dhe gurë.

City u bë “viktima” e fundit e një nate të mrekullueshme në “Anfield Road”, ku përpara 3 javësh ekipi i Klopp arriti të triumfojë 3 me 0 në raundin e parë në përballjen me ekipin e Guardiolës dhe 2 me 1 në ndeshjen e kthimit në Manchester, duke u kualifikuar për në fazën e gjysmëfinaleve të Champions League.

“Në stadium bëjeni sërish dhe më mirë. Jashtë stadiumit, ju lutem tregoni respektin që duhet të tregoni. Ky është një klub i jashtëzakonshëm, një familje futbolli e jashtëzakonshme, i njohur për atmosferën fanatike në të gjithë botën, pra nuk duhet që të godasim me çfarëdolloj gjëje autobusin e ekipit kundërshtar, ” u shpreh Klopp.

Ekipi i Romës do të takojë në “Anfield” një prej figurave të ekipit të saj, sulmuesin egjiptian Mohamed Salah, por kësaj here egjiptiani është rreziku kryesor për ëndrrën e kësaj të fundit për të mbërritur në finale, ku për herë të fundit e ka humbur përballë Liverpool në vitin 1984.

Salah kaloi nga Roma te Liverpool përpara 10 muajsh, duke i kaluar të gjitha pritshmëritë, pasi në këto muaj ka shënuar 41 gola në 46 ndeshje me ekipin e Liverpool.

25-vjeçari pas sezonit fantastik që zhvilloni në Premier Ligë fitoi dhe çmimin e “Lojtarit të Vitit”, duke lënë pas mesfushorin e talentuar të Manchester City, Kevin De Bruyne. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.