Thaçi në Holandë: Kosova është një rrëfim suksesi

TIRANË, 23 prill /ATSH/- Me ftesë të Institutit holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Clingendael”, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përpara shumë përfaqësuesve shtetërorë, diplomatëve, gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile mbajti një kumtesë me temë: “Vizioni, sfidat dhe mundësitë për Kosovën”.

Ai tha se paqja dhe drejtësia janë dy çështje themelore për çdo shoqëri, veçanërisht për ato në tranzicion.

Thaçi tha se Haga është një vend ku pavarësia e Kosovës u konfirmua e ligjshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Pas këtij Opinioni Këshillues më 2010, filloi dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë. Dialog i cili prodhoi një marrëveshje historike në Bruksel, saktësisht pesë vjet më parë”, – tha ai.

Presidenti Thaçi theksoi se “Është natyrisht edhe vendi ku një pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë tani është e vendosur, duke dëshmuar gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar gjithmonë me drejtësinë ndërkombëtare. Ne jemi krenarë me luftën tonë për liri dhe nuk kemi asgjë për të fshehur apo për t’u frikësuar nga e vërteta. Askush asnjëherë nuk u përpoq të ikte apo të fshihej nga drejtësia – krahasuar me shtetet e tjera në rajon”, ka shtuar ai.

Duke folur për shtetndërtimin në Kosovë, presidenti tha se vetëm dhjetë vjet më parë, Kosova shpalli Republikën më të re në Europë dhe tani mund t’i shikojmë me krenari arritjet gjatë dekadës që shkoi.

Para shumë të pranishmëve, presidenti Thaçi tha se rritja e parashikuar për vitin 2018 është gati 5 për qind, siç parashihet edhe për vitin 2019, derisa Kosova ka nënshkruar investime të reja prej mbi 1 miliard euro vitin e kaluar, veçanërisht ne sektorin e energjisë. Sipas tij, Kosova është një rrëfim suksesi, por Kosova ka ende sfida të shumta, ashtu siç kanë edhe të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Thaçi ka numëruar tri sfidat më të rëndësishme, ku së pari është përmbyllja e dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se Kosova është e hapur për të gjetur zgjidhje. “Si Kosova, ashtu edhe Serbia duan të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe të dy shtetet e dimë se duhet ta njohim njëri-tjetrin. BE-ja nuk do të na pranojë me probleme. Ne kemi nevojë për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

E di se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për të dyja palët, dhe mbi të gjitha për Kosovën. Por jam i bindur se dialogu dhe marrëveshja janë e vetmja rrugë përpara”, – ka shtuar ai.

Sfida e dytë sipas tij për Kosovën, është ekonomike. Ai ka thënë se Kosova po vazhdon të shënojë rritje, por ka nevojë për të krijuar më shumë vende pune. Thaçi ka thënë se sfida e tretë ka të bëjë me integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, ku sipas tij, Kosova po punon në përmbushjen e kritereve demokratike në politikë, ekonomi dhe legjislacion.

Presidenti Thaçi, pas kësaj kumtese ka bashkëbiseduar me përfaqësues të shtetit holandez, diplomatë, ambasadorë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ai po ashtu ka marrë pjesë në prezantimin e librit biografik “New State, Modern Statesman”, me autorë Roger Boyes dhe Suzy Jagger. Prezantimi i librit është bërë në Institutin holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Clingendael”, thuhet në komunikatën për media. /KosovaPress//m.z/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.